Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi vlerëson se, 15 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ajo ka ngecje të konsiderueshme dhe nuk është zbatuar në frymën e saj të vërtetë, çka ka sjellë dhe humbjen e kuptimit të saj.

Këtë deklaratë Thaçi e ka bërë gjatë takimit me diplomatin holandez nga Instituti Evropian për Paqen, Piter Fejt dhe me koordinatorin e lartë të OSBE-së për marrëdhëniet ndëretnike, Arno Van Der Pas.

Krahas Marrëveshjes së Ohrit, në takim është biseduar edhe për situatën politike në vend, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe për zhvillimet në dialogun midis partive politike që lehtësohet nga SHBA dhe BE.

Bashkëbiseduesit e tij, Thaçi i ka bërë me dije se, në bisedimet për arritjen e marrëveshjes së 2 Qershorit ka parashtruar çështjet që burojnë nga platforma e PDSH-së, të cilat kanë të bëjnë me pozitën juridiko-kushtetuese të shqiptareve në Maqedoni.

Më tej, kreu i PDSH-së opozitare ka nënvizuar se përplasjet mes partive maqedonase janë përplasje virtuale, kurse problemet reale të shtetit janë marrëdhëniet ndëretnike dhe çështja e emrit.

Zgjidhja e këtyre problemeve, sipas Thaçit, do të stabilizonte vendin dhe rajonin, si dhe do të përshpejtonte proceset e integrimit në strukturat euro-atlantike.

Top Channel