Ekspertët: Të goditet evazioni, por më shumë liri për biznesin

28/10/2015 18:50

Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit e cilësojnë të domosdoshme për ekonominë luftën kundër informalitetit dhe vendosjen e konkurrencës në treg.

“E gjithë ajo sasi e madhe parash që prodhohet dhe qarkullon në sektorin informal ka më tepër gjasa që të largohet jashtë vendit. Unë këtu e shoh vlerën e formalizimit, nëse arrihet. Tek fakti që nëse formalizohen, këto biznese do ta kenë më të vështirë për ta çuar paranë jashtë vendit”, deklaroi Gjergj Buxhuku nga Konfindustria.

Por disa prej tyre mendojnë se qeveria duhet të jetë më pak radikale në masat që ndërmerr, për të mos goditur ekonominë. Selami Xhepa e ilustroi këtë me përkeqësimin e renditjes në “Doing Business”.

“Cilat janë këto lëvizje regresive që e zhvendosin Shqipërinë me 30 apo 40 vende dhe që na çojnë sërish shumë vite më pas në këtë garë të madhe? Faktori kryesor janë lejet e ndërtimit. Por çfarë ka ndodhur me to? Ka ndodhur që nuk jepen më leje ndërtimi, me motivin e vendosjes së kontrollit dhe displinimit të tregut. Por a disiplinohet një treg i hapur përmes ndalimit? Kjo është absurde”, nënvizoi Xhepa.

Për Ardian Civicin, aksioni kundër informalitetit duhet shoqëruar edhe me masa nxitëse pro biznesit, siç është rishikimi i disa taksave.

“Po ta shohim Shqipërinë në nivel rajonal, për disa sektorë nga më të ndjeshmit, si ai i turizmit apo sektorë të tjerë shërbimesh, përfshirë fasonët ku ne duhet të ishim kompetitivë, ne kemi një nivel taksash më të lartin në rajon”, tha Civici.

Sipas organizatorëve, kjo ishte tryeza e parë e një seri takimesh me ekspertë dhe përfaqësues të bizneseve, në fund të të cilave do të ketë dhe një sërë rekomandimesh për qeverinë.

Top Channel