Festivali operistik “Maria Kraja”

28/10/2015 00:00

Festivali Ndërkombëtar operistik “Maria Kraja”, do të zhvillojë edicionin e tij të 15-të më datat 30 dhe 31 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

14 të rinj, mes të tjerash nga Shqipëria, Italia, Franca, Gjermania, Koreja e Jugut e Rusia janë pjesë e këtij kompeticioni.

“Ata janë shumë të talentuar, të cilët e kanë nisur karrierën e tyre me shumë role, me shumë kompeticione ndërkombëtare dhe me çmime, madje një pjesë e tyre kanë marrë edhe çmime të para”, thotë Zana Çela, producente e festivalit “Maria Kraja”.

Artistët e rinj do të interpretojnë nga një arie dhe nga një këngë të repertorit të njohur botëror. Sa i përket jurisë:

“Këtë vit në juri marrin pjesë personalitete të shquara që drejtojnë opera të famshme europiane sot. Të gjithë u japin mundësi të gjithë këngëtarëve pjesëmarrës dhe për këtë festivali ynë ka 15 vite që ja propozon të gjithë këngëtarëve të rinj, ashtu siç përgjatë këtyre 15 viteve ka bërë shumë për imazhin e vendit, për promovimin e kulturës së vendit, por ajo që është më e rëndësishmja është mundësia që u jep artistëve të rinj për t’u promovuar në skenën shqiptare përballë artistëve që kanë në dorë sot kastet e teatrove më të rëndësishme europiane”, shprehet Zana Çela.

Digitalb është partner mediatik i këtij festivali dhe këtë të shtunë e të dielë, ai do të transmetohet në orën 21.00 në kanalin T-HD.

Top Channel