Roma rimerr kreun e Serisë A; fiton Napoli e Milani, humbet Juventusi

28/10/2015 23:00

Roma mundi 3-1 Udinezen duke i rimarrë Interit pas 24 orësh kreun e Serisë A.

Kryeqytetasit e drejtuar nga Rudi Garcia-s e patën më të lehtë nga sa e kishin menduar të thyenin këtë kundërshtar, i cili rikthehet pas 4 javësh te humbja.

Vendasit e nisën me vrull ndeshjen dhe brenda 10 minutave të para shënuan 2 herë me Pjanic dhe Maicon. Këto dy gola të shpejtë dhe hutimi i Udinezes i dhanë mundësinë Romës të administronte lojën dhe të rrezikonte sa herë që i jepej mundësia.

Në pjesën e dytë, Gervinho vulosi fitoren e 7 të skuadrës së Rudi Garcia-s, e cila tashmë e sheh veten në vendin e parë me 23 pikë.

Ka ngjitur shkallët në renditje edhe Napoli, i cili pas fitores 2-0 ndaj Palermos e sheh veten në vendin e dytë, 2 pikë larg Romës kryesuese. Golat e 3 pikëve për napolitanët u shënuan nga Higuain dhe Mertens.

Surpriza e kësaj mesjave në kampionatin italian ishte Sasuolo, skuadër e cila mundi 1-0 kampionët e Juventusit me supergolin e Sansone-s.

Kjo është humbja e katërt për ekipin e Allegri-t, i cili është shumë larg skuadrës së 2 sezoneve të kaluara. Ndryshe nga bardhezinjtë, Milani regjistroi fitoren e dytë radhazi dhe këtë e mori ndaj Kievos. Goli i Antonelli-t në pjesën e dytë e ngjit ekipin e Mihajlovic në kuotën e 16 pikëve.

Top Channel