Rreziku nga tërmeti, ndalohen këpucët me taka!

29/10/2015 00:05

Një vendim i çuditshëm është marrë së fundmi në një shkollë të mesme në Itali. Nxënësve dhe stafit i është ndaluar të veshin këpucë me taka pasi ato mund t’i pengojnë të evakuohen në rast të një tërmeti të mundshëm.

Shkolla ndodhet në Avezzano, qytet në provincën e L’Aquila-s, një zonë me një aktivitet të lartë sizmik, çka do të thotë se fenomeni mund të ndodhë në çdo kohë.

Zyrtarët e shkollës kanë ndaluar këpucët me taka më të larta se 4 centimetra për të siguruar që studentët dhe stafi mund të largohen më shpejt në rast të një tërmeti të fuqishëm.

“Vendimi nuk është një rezultat i një imagjinate puritane. Kjo është një kërkesë serioze”, shprehet Ana Amanzi, mësuese në këtë shkollë.

Por të tjerë në shkollë mendojnë se masa është e panevojshme. Ndërsa një student shprehet se autoritetet duhet të përqendrohen në gjëra më serioze, “për shembull, ngrohja në shkollë”.

Rajoni u goditet nga një tërmet i fuqishëm në vitin 2009, i cili i mori jetën 309 personave, ndërsa dëmtoi rreth 10 mijë ndërtesa në L’Aquila dhe në zonat përreth.

Top Channel