Durrës, shpërthim eksplozivi pas mesnate; në shënjestër një lokal

29/10/2015 08:25

Një sasi eksplozivi, e vendosur pranë një subjekti privat, ka shpërthyer natën mes së mërkurës dhe së enjtes në qytetin e Durrësit.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se, eksplozivi ishte vendosur në hyrjen e një bilardoje, në pronësi të shtetasit Kujtim Rapçe.

Salla ndodhet në katin e parë të një pallati dhe nga shpërthimi ka pasur dëme të konsiderueshme materiale.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar njësitë policore të drejtuar nga një grup i posaçëm që ka nisur hetimet mbi ngjarjen.

Teksa është marrë në pyetje nga agjentët, pronari i subjektit ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tretë.

Për këtë arsye, hetuesit e kanë spostuar vëmendjen tek bashkëshortja e Rapçes, me të cilën ai dyshohet se ka një përplasje. 

Top Channel