Fitore me Torinon për të harruar humbjen ndaj Sassuolos

29/10/2015 11:35

Juventusi nuk ka kohë që të mendojë shumë për disfatën me Sassuolon. Ditën e shtunë, skuadrën e drejtuar nga Massimiliano Allegri e pret derbi me Torinon dhe për “Zonjën e Vjetër” është një detyrim fitorja, duke parë edhe situatën ku ndodhet. Në “Juventus Stadium”, tekniku italian shpreson që të shohë një tjetër skuadër nga ajo që u shfaq në sfidën me Sassuolon, sidomos në pjesën e parë, por për këtë i duhet të ketë në dispozicion futbollistët më të mirë.

Në fakt, lajmet e mira nuk i mungojnë trajnerit livornez. Caceres duket se është riaftësuar dhe do të jetë mes të grumbulluarve të Allegrit për ndeshjen me Torinon, një rikthim ky që merr shumë vlerë pas skualifikimit të Chiellinit për ndëshkimin me karton të kuq. Por Allegri pritet që të ketë në dispozicion edhe 2 futbollistë akoma më të rëndësishëm dhe bëhet fjalë për Marchision dhe Khedirën. Futbollisti italian që mungoi në ndeshjen e së mërkurës për shkak se ishte në gjendje gripale do të bëjë gjithçka që të jetë gati për derbin me torinezët, ndërsa Khedira, i cili u la pushim ndaj Sassuolos, do të marrë vendin e tij në mesfushë.

Ka të ngjarë që Allegri të rikthejë në fushën e lojës edhe francezin Evra, i cili do të luajë në krahun e majtë, ndërsa Morata pritet të rimarrë vendin e tij në repartin e sulmit. Dilemat për Allegrin duket se janë mes Padoinit dhe Sturaros për të plotësuar skemën 4-3-3

Top Channel