Fier, Basha: Vetëm një taksë për tokën, naftë pa akcizë për fshatin

29/10/2015 12:35

Ulja e taksave dhe nxitja e uljes së çmimeve për mjetet dhe plehrat kimike që përdorën në bujqësi janë shtyllat kryesore të programit të Partisë Demokratike për rritjen ekonomike në vend.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha bisedoi me fermerët e Petovës në Fier për shqetësimet e tyre rreth çmimeve disa herë më të larta sesa në Europë dhe në Kosovë të plehrave kimike. Zgjidhja që jep Lulizm Basha mbështetet në tre hapa.
 
“Taksa e vetme për fshatin do të jetë taksa mbi tokën. Taksë tjetër nuk do të ketë. Taksë prej 350 lekë për dynym dhe taksë e tokës do të shpenzohet e gjitha për vaditjen dhe kullimin. Hapi i dytë është nafta pa akcizë, dhe hapi i tretë që do të ndërmarrim është ulja e çmimit për të gjitha imputet”, tha Basha.

Kreu i opozitës u shpjegoi banorëve të Petovës që u ankua për mungesën e punës dhe rritjen e varfërisë, se programi i Partise Demokratike për uljen e taksave është zgjidhja më e mirë për t’i dhënë frymëmarrje buxhetit të çdo familje dhe për të rritur ekonominë e vendit.
 
“Paratë që do t’i dedikojmë për fshatin do të jenë shumë më shumë se ç’kemi dedikuar ne në vitin tonë më të mirë. Këta, këtë vit, dedikuan 6 milionë dollarë. Se çfarë do të bësh me 6 milionë dollarë, kujt do t’ia japësh më parë, gjysmën i marrin për vete. 650 milionë euro që i marrin këta sot me taksat e rritura ne do t’ia kthejmë njerëzve”, deklaroi Basha.

Top Channel