Kosovë, Kuvendi cakton seancë për MSA-së

29/10/2015 13:00

Kuvendi i Kosovës ka caktuar një seancë plenare për të hënën në orën 10:00, për të ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Për këtë seancë janë pajtuar edhe partitë opozitare, të cilat në mbledhjen e Kryesisë i përfaqësoi nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje, Aida Dërguti.

“Duke e parë MSA-në të rëndësishme dhe në interes të Kosovës, qëndrimi i opozitës është që seanca me këtë pikë të rendit të ditës të mbahet në mënyrë të rregullt, të hënën në orën 10:00”, tha Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit nga VV.

Kryeparlamentari Kadri Veseli u shpreh optimist se, Kuvendi do t’i kthehet normalitetit edhe me seancat e tjera, ndërsa shtoi se, në ditët e ardhshme janë përqëndruar vetëm në temat me interes kombëtar.

“MSA do të jetë prioritet kombëtar veçanërisht gjatë ditëve të ardhshme, ashtu sikurse do të jetë prioritet edhe votimi, të cilin e presim më 9 nëntor në UNESCO. Jemi në hapa të mbara dhe besojmë shumë se do t’ia arrijmë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Pas ratifikimit të MSA-së më 2 nëntor, kryeparlamentari kosovar paralajmëroi edhe një seancë të re, ku më 6 nëntor deputetëve pritet t’iu drejtohet komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

Veseli tha se seanca tjetër, e parashikuar për të hënën në orën 13:00, është shtyrë për një datë të pacaktuar, ndërsa ka vlerësuar nismën e Presidentes Atifete Jahjaga për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Çdo veprim që është institucional, natyrisht është lehtësim dhe ndihmë për tejkalimin e situatave, të cilat kanë të bëjnë me marrëveshje të caktuara. Sigurisht siç është marrëveshja e Asociacionit, apo edhe çështje të tjera. Sido që të jetë, rruga më e mirë është rruga institucionale. Shpresojmë, por dua ta theksoj se, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë axhendën e vetë të funksionimit normal në kuadër të përgjegjësive që ka”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Veseli ka reaguar edhe për parullat e deputetëve opozitarë, të cilët ia drejtuan ato Presidentit austriak të enjten, gjatë seancës ku ai po mbante fjalim.

Kryeparlamentari kosovar tha se, është e drejtë e opozitës të bëjë parulla, ndërsa shtoi se pas seancës, Presidenti austriak e ka pyetur për përmbajtjen e tyre, pasi – siç tha Veseli, – kreu i shtetit austriak nuk i kishte parë.

Top Channel