FIFA, Platini: Nuk duan që të kandidoj për president

29/10/2015 14:50

Michel Platini është në luftë të hapur me Sepp Blatter dhe FIFA-n. Presidenti i UEFA-s, i cili në këtë moment është i pezulluar, i është kundërpërgjigjur akuzave të Blatter, me këtë të fundit që kishte deklaruar se i gjithë skandali i FIFA-s u orkestrua nga francezi. Në një intervistë për të përditshmen zvicerane “Le Roi”, Platini deklaroi se te FIFA nuk duan që ai të kandidojë për kreun e këtij institucioni.

“Nuk duan që unë të marr pjesë në garën presidenciale të FIFA-s. Të gjithë janë të interesuar të më pengojnë. E vërteta është që askush nuk do që në krye të FIFA-s të jetë një ish-futbollist. Nëse më lejojnë që të bëj atë që kam ndërmend, do të kem shumë mundësi të bëhem president i këtij institucioni. Kam mbuluar të gjitha rolet në futboll: kam qenë lojtar, trajner i kombëtares franceze, drejtues i Nancy, madje edhe president i Komitetit Organizator të Botërorit 1998. Tani jam në krye të UEFA-s, organizmi më i fuqishëm. E kam bërë gjithçka me ndershmëri dhe mendoj se do të jem opsioni më i mirë për FIFA-n”, u shpreh Platini.

Platini foli edhe për ndëshkimin e tij me pezullim për 90 ditë të marrë nga Komiteti i Etikës së FIFA-s: “Mendoj se ishte një masë e tepruar që kërkon të kalojë në plan të dytë kandidaturën time në zgjedhjet e FIFA-s. Kështu që nuk do të kem mundësi që të bëj fushatë elektorale të përshtatshme në krahasim me të tjerët. Nuk kam të njëjtat armë për të tentuar fitoren”.

Top Channel