Akuzat për autoambulancat, qeveria: Investimi i përket vitit 2014

29/10/2015 00:00

Pas akuzave të Partise Demokratike se ministria e Shëndetësisë ka blerë autoambulanca pa zhvilluar tender dhe se kompania fituese ka qënë e paracaktuar dhe se ka përfituar pothuajse të gjithë fondin limit të vendosur në dispozicion ka reaguar qeveria nëpërmjet portalit trasparenca.al duke cilësuar se investimi i fundit i përket vitit 2014 ku u blenë 20 autoambulanca dhe iu shpërndanë 20 spitaleve në mbarë vendin.

Fondi prej 150 milionë lekë për blerjen e këtyre 20 autoambulancave, thuhet në portal, u bë i mundur me Aktin Normativ nr. 1, datë 17 shtator 2014. Ndryshe nga pretendimi i opozitës se fondi i është akorduar një kompanie të paracaktuar, pra pa zhvilluar tender, procedura e prokurimit ka qenë elektronike dhe e hapur prej datës 23 tetor 2014.

Në këtë garë kanë marrë pjesë pesë operatorë ekonomik, nga të cilët tre prej tyre nuk dorëzuan ofertë. Gjithashtu vijohet ne reagimin e qeverise, vlen të theksohet se kompania fituese zotëron eksperiencë në këtë fushe pasi në vitin 2009 është përzgjedhur nga qeveria e kaluar për të sjellë në Shqipëri 18 autoambulanca.

Top Channel