Ekstremizmi fetar, debat nga QKSS në Prishtinë

29/10/2015 00:00

Fuqizimi i komunitetit islam dhe bashkëpunimi me institucionet shtetërore mund të parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin në Kosovë.Kështu u tha në tryezën përmbyllëse të projektit me titull: “Rëfimi i dy qyteteve – ekstremizmi i dhunshëm dhe kundërpërgjigja në Komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë”.

Ky debat u organizua nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë, ku u kritikuan institucionet e shtetit për mos angazhim të duhur në luftimin e këtij fenomeni dhe u diskutua edhe lidhur me rolin e gruas në parandalimin e ekstremizmit.

“Në përgjithësi përvec aktiviteteve që ka bërë Policia e Kosovës dhe Kuvendi që ka miratuar ligjin dhe strategjia që është bërë, institucionet e shtetit kanë qenë thuajse me aktivitet zero në terren të përballen me këtë fenomen. Pothuajse Policia është e vetme që është përballur fenomen. Nuk ka ndonjë iniciativë për të ndërtuar ndonjë mekanizëm ose plan për riintegrimin e personave që janë kthyer nga lufta e Sirisë dhe Irakut, ose për rehabilitimin e tyre”, tha Skwnder Përteshi, hulumtues në QKSS.

“30%- 40% e grave që kanë marr pjesë në këto lufta, kanë qenë të një moshe 18- 23 vjec të cilat kanë pasur edukim bazik ose nuk kanë qenë fare active në jetën publike në Kosovë. Gruaja në Kosovë, sidomos ajo muslimane ballafaqohet me sfida shumë të mëdha. Është varfëria, është diskriminimi, është izolimi pra si pasojë e mbulesës”, tha Donika Emini, QKSS.

Zëvëndës/ dekania e fakultetit të studimeve islame Besa Ismaili, kërkoi që xhamitë në Kosovë të hapen edhe për gratë, në mënyrë që t’I shmangen rrezikut nga ligjeratat e gabuara fetare.

“Një gjë që mbase Bashkësia Islame e Kosovës dhe të gjithë ne mund ta bëjmë leht e që është e domosdoshme, është që xhamitë e Kosovës të hapen për gratë. Nëse një grua nuk ka qasje në ligjeratat e mirëfillta të këtyre imamëve mendje ndritur që kanë bërë këtë punë kaq të mirë, atëherë është një rrezik tjetër sepse ato disa mësime do t’i marrin dhe sigurisht se do t’i marrin diku në ndonjë të vetshpallur xhami”, tha  Besa Ismaili, prodekane në fakultetin e studimeve islame.
 
Ndërsa Ahmet Sadriu nga Bashkësia Islame e Kosovës, tha se është e nevojshme të futet nëpër shkolla lënda e edukatës fetare.

“Lënda e edukatës fetare të futet nëpër shkolla. Nuk po them edukatës islame, por edukatës fetare për të gjithë njejt, sepse aty direkt do të dihet kush është bartës i asaj përgjegjësie dhe nëse ka diku devijime apo dicka, do të mirret përgjegjësia, jo të na edukohen fëmijët tanë nga grupe, nga individë, nga shoqata të ndryshme të cilat nuk ia dojnë të mirën po e them shumë thjesht vendit tonë”, u shpreh Ahmet Sadriu, BIK.

Në këtë debat të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, që sipas tyre, personat e arrestuar për terrorizëm ose pjesëmarrje në konfliktet e Sirisë dhe Irakut, nuk kanë njohuri të mëdha lidhur me fenë.

Top Channel