Turqi, ankth para zgjedhjeve

29/10/2015 15:40

Frika, pasiguria, korrupsioni e manipulimet bëjnë që përpara zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Turqi të mbizotërojë një klimë tensioni e mosbesimi. Gjatë gjithë kohës, thonë aktivistë vendas, nuk flitet veçse për mashtrimet elektorale apo për kuti votimi që zhduken.

Kjo është arsyeja që ka shtyrë 7.000 persona të bëjnë përpara si vëzhgues vullnetarë të procesit zgjedhor me kujdesin që pas tre ditësh të mos arrijnë të bëhen manipulime. Partia në pushtet, AKP-ja e Rexhep Tajip Erdoganit, humbi për të parën herë shumicën parlamentare në qershor e sot Turqia është më e përçarë se kurrë.

Thuajse çdo ditë ka paralajmërime për akte terrori, ndërsa gazetarët kritikë dhe kundërshtarët në opozitë kërcënohen e ndonjëherë, burgosen. Përpara pak javësh, simpatizantët e AKP-së mësynë zyrat e gazetës “Hurriyet”, pas botimit të një artikulli të mbushur, sipas tyre, me shpifje e gënjeshtra për presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Disa ditë më vonë, edhe një nga analistët e të përditshmes u sulmua brutalisht para shtëpisë së tij. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Shtypit, ndaj lirisë së shtypit në Turqi janë ndërmarrë disa veprime tronditëse. Raportet në media tregojnë se në vend ka rreth 20 gazetarë të burgosur. Nga ana tjetër, tek njerëzit ka rënë besimi se zgjedhjet mund të jenë të rregullta e të lira. Në vitin 2007, një bindje të tillë e ndanin 70% e turqve; sot janë më pak se 50%.

Një prej ngjarjeve që ushqen mosbesimin e votuesve është ajo e zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, kur gjatë numërimit të votave në pjesë të ndryshme të Turqisë, energjia elektrike u ndërpre për disa orë. Qeveria ia vuri fajin një maceje për të cilën tha se ishte ngjitur në një shtyllë shpërndarjeje të një termocentrali. Që atëherë, fjala mace tek opozitarët ka marrë kuptimin e “manipulimit të zgjedhjeve”.

Top Channel