Shkretëtira shndërrohet në lulishte!

29/10/2015 00:00

Shkretëtira Atacama në Kili tani duket sikur është mbuluar me një qilim shumëngjyrësh lulesh që nuk kanë vonuar të çelin pas shirave që u regjistruan në veri të vendit, të cilat kanë bërë që rajoni zakonisht i zhuritur, të shndërrohet në një parajsë idilike ku dominojnë nuancat e lejlasë.

Fenomeni ndodh një herë në 5 deri në 7 vjet, por ky i sivjetshmi është më spektakolari i regjistruar në rajon në 18 vitet e fundit. Gjithçka ka ndodhur pas shirave të rrëmbyeshëm që u regjistruan në shkretëtirat veriore të Kilit në 20 vitet e fundit.

Të paktën 28 vetë kanë humbur jetën si pasojë e rrebesheve të shiut që shkaktuan rrëshqitje dheu dhe përmbytje. Një numër i pafund lulesh kanë ndryshuar rrënjësisht shkretëtirën Atacama, 750 km në veri të Santiagos, duke e shndërruar atë në një parcelë gjigande lulesh ekzotike.

Shirat intensivë në zonën që zakonisht vuan nga thatësira kanë bërë që të çelin më shumë se 200 lloje lulesh, e që shkretëtira të mbushet me aroma dhe ngjyra të pazakonta.

Fara që qëndrojnë në gjumë prej vitesh, stimulohen nga shirat duke tërhequr zogj, insekte, zhapikë dhe brejtës në zonë. Për shumëkënd ky fenomen është një mrekulli e vërtetë, ndërsa banorët vendas thonë se spektakli është bërë për ta burim krenarie.

Gjatë gjithë vitit, shkretëtira e Atacamës tërheq turistë në parqet e saj kombëtare, plazhet e kaltra, peisazhet malore spektakolare dhe zonat e mbrojtura natyrore.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel