Kubë, Renzi pritet me nderime të larta

29/10/2015 00:00

Kryeministri italian, Matteo Renzi u takua me Presidentin kuban, Raul Castro në Havana në ndalesën e fundit të turneut të tij në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Castro e priti Renzin me nderime të plota ushtarake në Pallatin e Revolucionit në Havana, para bisedimeve në të cilat u shoqëruan edhe nga delegacionet respektive diplomatike. Renzi vizitoi Kubën me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai dhe Castro janë takuar ndërkohë më herët në romë.

Gjatë vizitës së tij, Renzi vizitoi qendrën historike të Havanës dhe vendosi një kurorë me lule pranë monumentit të heroit të pavarësisë, Hoze Marti në sheshin e revolucionit.

Më herët gjatë ditës, kryeministri italian kryesoi një forum biznesi në hotel “Nacional”, në të cilin ai ftoi komunitetin italian të biznesit për të investuar në Kubë, duke nxjerrë në pah mundësitë e mëdha për turizmin, agrobiznesin dhe energjinë e rinovueshme.

Ai po ashtu foli në shkollën e famshme të arteve të Kubës, Institutin e Lartë të Arteve. Renzi shoqërohet nga 60 sipërmarrës italianë dhe liderë biznesi në këtë vizitë. Para Kubës, Renzi është ndalur në Kili, Peru dhe Kolumbi.

Top Channel