Aeroplanmbajtësja e SHBA-ve ngre 4 avionë për të larguar dy rusë

29/10/2015 00:00

Ngjarja ka ndodhur gjatë së martës, por një zyrtar i Marinës amerikane ka reaguar publikisht pikërisht këtë të enjte.

Një anije aeroplanmbajtëse e SHBA-ve ngriti në fluturim 4 avionë luftarakë “F-18” dy ditë më parë, pasi dy avionë rusë kundër nëndetëseve fluturuan vetëm një milje detare larg aeroplanmbajtëses.

Raportimet e mediave informative bënë të ditur se incidenti kishte ndodhur në ujërat ndërkombëtarë në lindje të gadishullit korean.

Zyrtari i Marinës amerikane tha se dy avionët rusë “TU-145 Bear” u vunë re vetëm një milje detare larg aeroplanmbajtëses “Reagan”, duke detyruar drejtuesit e kësaj të fundit të ngrinin në fluturim 4 avionë luftarakë për t’i shoqëruar ato larg anijes në fjalë.

“TU-145 Bear” është një avion luftarak me rreze veprimi të gjatë dhe përdoret kryesisht kundër nëndetëseve, si dhe i përngjan versioneve “TU-95 Bear”, bombardues strategjikë.

Zyrtari amerikan i Marinës, i cili foli në kushtet e anonimatit, tha se pilotët nga të dyja palët u sollën në mënyrë korrekte dhe profesionale, si dhe avionët rusë u larguan nga aeroplanmbajtësja amerikane.

Ndërkohë që media të ndryshme cituan zyrtarë të Marinës amerikane të konfirmonin se ky incident nuk është i paprecedentë.

Top Channel