“Deutsche Bank” do të shkurtojë 15 mijë vende pune prej humbjeve

29/10/2015 00:00

“Deutsche Bank” ka njoftuar se do të shkurtojë 15 mijë vende pune, për shkak të humbjeve prej 6 miliardë eurosh gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.

Banka më e madhe e Gjermanisë e ka detajuar edhe më tej vendimin e saj, duke bërë të ditur se do të shkurtojë 9000 vende pune me kohë të plotë dhe 6000 role kontraktorësh. Ndërkohë, ajo ka planifikuar gjithashtu të shesë edhe biznese, në të cilat mund të punësohen 20 mijë njerëz, përgjatë dy viteve të ardhshme.

Njëri prej shefave ekzekutivë të “Deutsche Bank”, John Cryan, tha se “presim që nga viti 2018 të mund të shohim përfitimet e punës sonë të lodhshme dhe me shumë mundësi do të jemi në mesin e një kthese të fuqishme në aspektin financiar”.

Shkurtimet përfaqësojnë më pak se 15% të forcës së përgjithshme punëtore të kompanisë. Kjo vjen pasi aksionet e bankës gjermane ranë me 5,5% në bursën e Frankfurtit.

Veç të tjerash, “Deutsche Bank” po përpiqet të shkurtojë me 3,8 miliardë euro kostot vjetore, pasi bankat europiane po hasin vështirësi me rritjen e ngadaltë ekonomike në tregjet e tyre vendase dhe me rregullat strikte.

Në këto kohë të vështira, banka gjermane mendon gjithashtu të shesë 20% të aksioneve të “Postbank” te kinezët e “Hua Xia Bank”, si dhe të ndërpresë pagesat e dividentëve për vitet 2015 dhe 2016. Banka mund të mbyllë gjithashtu biznese të shtrira në Maltë, Argjentinë, Kili, Meksikë, Finlandë, Peru, Uruguaj, Danimarkë, Norvegji dhe Zelandën e Re, veç disa degëve në Gjermani.

Top Channel