Marubi, historia që lexohet nëpërmjet fotove

29/10/2015 00:00

Pas nisjes së dixhitalizimit të arkivës së Marubit, në muajin shtator, qindra njerëz kanë gjetur fotot e paraardhësve të tyre, që nuk mendonin se do i shihnin ndonjëherë.

Familje, burra e gra që kanë jetur gati 100 vite më parë, tashmë mund të shihen online falë portalit “marubi.gov.al”. Por si bëhet teknikisht procesi i kthimit të negativëve shekullorë, në variant elektronik?

Kërkimi online bëhet i mundur nisur nga mbiemri, data kur mund të jetë shkrepur foto, apo vendi. Më pas, sistemi nxjerr totalin e fotove të gjetura.

Puna sapo ka nisur. Aktualisht janë futur vetëm 8% e arkivës, afërisht 41 mijë foto. 500 mijë negativë të tjerë të papublikuar pritet të skanohen në vitet e ardhshme. Ekspertët thonë se, kjo do të kërkojë nga 5 deri në 10 vite punë.

Falë Fototekës virtuale, historia dhe teknologjia kanë gjetur një pikë të përbashkët. Puna e bërë gati një shekull më parë po rikthen figura të njohura dhe të panjohura që kanë bërë historinë, si për të na dhënë një tjetër dëshmi të kohës falë objektivit të dinastisë Marubi.

Top Channel