BB: Ja pse Shqipëria humbi 35 vende. Shihni Maqedoninë, shpejtoni reformat

29/10/2015 00:00

Pas debateve të forta politike që përkeqësimi i Shqipërisë në renditjen e klimës së biznesit ka shkaktuar në Tiranë, ka reaguar për herë të parë edhe Banka Botërore, si autore e raportit “Doing Business”.

Në një intervistë për Top Channel, drejtoresha e BB për Europën Juglindore, Ellen Goldstein sqaron se përse Shqipëria humbi 35 vende në renditjen botërore.

“Nga 10 fushat e ndryshme që mat ‘Doing Business’, në 8 prej tyre Shqipëria ka pasur përmirësime ose nuk ka ndryshuar status. Ka dy fusha që ka disi përkeqësim dhe në veçanti, ajo që ka ndikuar te rënia me 35 vende që tërheq tituj bombastikë mediash, ka qenë një situatë e përkohshme me lejet e ndërtimit. Kuadri ligjor i mëparshëm u pezullua, me qëllim që t’i hapte rrugë reformës administrativo-territoriale. Fatkeqësisht, kjo bëri që vendi të konsiderohej sikur nuk kishte fare kuadër ligjor për lejet e ndërtimit. Por në fakt, ne e dimë që dhënia e tyre ka vazhduar përmes një procesi të centralizuar. Vitin e kaluar ka pasur 1000 aplikime, nga të cilat janë miratuar 500. Pra, në të vërtetë nuk ka pasur një fund të lejeve të ndërtimit, por nga këndvështrimi ligjor kjo është konsideruar si një hendek, duke bërë që të vlerësohet me zero pikë”, tha Ellen Goldstein, drejtoreshë e BB për Europën Juglindore.

Por, ndonëse e minimizon efektin e krijuar nga lejet e ndërtimit, si të përkohshëm dhe pjesërisht artificial, Goldstein vlerëson se Shqipëria duhet të marrë shembull Maqedoninë për të reformuar ekonominë dhe ambientin e biznesit.

“Shumica e vendeve të Ballkanit janë diku në mes të renditjes botërore dhe kjo nuk është e mjaftueshme. Nëse do të jesh një destinacion botëror për investimet, duhet të jesh ndër më të mirët. Në këtë prizëm është shumë interesante të shihet fqinji juaj, Maqedonia, e cila këtë vit renditet e 12-a në botë dhe në mënyrë të vazhdueshme ka qenë në 25 apo 30 vendet e para të botës. Ky është një standard që mund ta arrijë çdo vend në Ballkan nëse përshpejton reformat. Ndaj unë mendoj se, edhe Shqipëria mund ta bëjë nëse përshpejton reformat”, tha Ellen Goldstein.

Por cilat janë rekomandimet e Bankës Botërore për qeverinë? Goldstein thotë: Përshpejtimi i reformave në fushat ku vendi renditet dobët.

“Së pari janë lejet e ndërtimit. Tani që reforma administrativo-territoriale është miratuar, kuadri ligjor duhet të funksionojë normalisht. Fushat e tjera janë ato të energjisë, veçanërisht koha dhe kostoja per t’u lidhur në rrjet. Së fundmi është pagesa e taksave. Këtu nuk bëhet fjalë për barrën, e cila është pak a shumë në të njëtën linjë me rajonin dhe vendet e BE-së. Problemi është te numri i pagesave dhe koha që ky proces i merr biznesit”, tha më tej drejtoresha e BB-së për Europën Juglindore.

Veç energjisë dhe taksave, dy fusha të tjera për Bankën Botërore ku reformat duhet të thellohen janë pronat dhe sistemi ligjor.

“Këto janë fushat ku burokracia krijon vonesa në kohë, si dhe shkakton kosto. Paralelisht ajo krijon mundësi për korrupsion, çfarë bëhet barrë për biznesin. Ne jemi duke punuar me qeverinë, jemi duke e ndihmuar me reformat, sepse qeveria me të vërtetë ka nevojë të dyfishojë përpjekjet që vendi të ngjitet lart”, tha Goldstein.

Top Channel