Refugjatët në Shqipëri? Nuk kemi kërkuar, as na kanë kërkuar të jemi vend pritës

29/10/2015 00:00

“Në samitin për refugjatët në Bruksel, fundjavën e shkuar, Shqipërisë nuk i është caktuar apo kërkuar pritja e ndonjë numri sirianësh”.

Kështu i ka pohuar Top Channel një burim qeveritar, i cili theksoi se “deri më tani, as kemi kërkuar dhe as na kanë kërkuar të jemi vend pritës i qytetarëve të larguar nga Siria”. Po ashtu, i njëjti burim pohoi se nuk është diskutuar rreth ndonjë fondi, që do t’i akordohej Shqipërisë për një operacion të mundshëm humanitar të kësaj natyre.

Ndaj, në fazën aktuale, duke qenë se Shqiperia ende nuk është prekur nga fluksi i refugjatëve sirianë, është herët për të folur për kuota, apo çështje të natyrës financiare. Ndryshe nga Greqia, Maqedonia, Serbia dhe vendet e tjera europiane, që tashmë janë vende tranziti apo qëndrimi, Shqipëria tani për tani mbetet e paprekur nga kriza.

Por, ajo çfarë duket se shqetëson me shumë Bashkimin Europian është fakti që, në rast se vendi ynë do të kthehej në një vend tranzit për refugjatët sirianë, atëherë autoritetet, në bashkëpunim të ngushtë me ato të BE-së, do të duhej të koordinoheshin nga afër për të bërë regjistrimin e personave, që do të hyjnë e do të dalin nga kufijtë shqiptarë.

Eksperienca e vendeve të tjera fqinje, si Maqedonia dhe Serbia, tregon se refugjatët sirianë kanë vetëm një objektiv, Europën Qendrore dhe Veriore; Gjermaninë, Austrinë përfshi dhe Suedinë.

“Nëse në javët në vijim do të ketë një fluks sirianësh, që do ta përdorin Shqipërinë si rrugëkalimi për në Europë, atëherë do të bisedohet me BE-në dhe UNCHR-në me terma konkretë”, theksoi burimi qeveritar.

Top Channel