Berisha përshëndeti autonominë, por në Preshevë janë të habitur: Nuk është e vërtetë

29/10/2015 00:00

“…Të dashur miq, shqiptarët e Luginës së Preshevës, që janë njëkohësisht qytetarët apo minoriteti më i shtypur në Europë, shpallën mbrëmë në një mbledhje të të gjithë të zgjedhurve të tyre Autonominë e Luginës, si një reagim legjitim për të garantuar të drejtat e tyre të mohuara nga regjimi serb…”.

Kjo ka qenë deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha, që ka habitur jo vetëm publikun shqiptar, por edhe vetë udhëheqësit politikë të Preshevës, e që gjithsesi nuk duan ta komentojnë shumë përpara kamerave.

“Dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë të zgjedhurit e Luginës së Preshevës. Në një akt historik dhe me një përgjegjësi të lartë, ata shpallën dy ditë më parë autonominë e Luginës së Preshevës. Shqiptarët atje janë absolutisht më të shtypurit, më të diskriminuarit dhe me më pak të drejta në Europë”, përsëriti sërish deputeti Sali Berisha, gjatë seancës plenare të së enjtes në Tiranë.

Megjithatë, jo pak habi dhe hutim ka shkaktuar pohimi se, Lugina e Preshevës ka shpallur një autonomi natën vonë, për të cilën deri tani askush nuk ka dëgjuar.

Kryetari i Këshillit Kombëtar shqiptar, Jonus Musliu, ka thënë se gazetarët kanë filluar të pyesin për këtë, por ai nuk e di se nga ka rrjedhur ky lajm.

“Unë jam njoftuar nga mediat se, mbrëmë në Facebook-un e tij personal ka shkruar se gjasme është shpallur autonomia në Luginën e Preshevës. Ne e dimë që është krijuar Asociacioni i komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc më 12 shtator, kjo ka qenë edhe publike. Do të thotë se publikisht janë bërë të gjitha aktet, të cilat janë kryer në Luginën e Preshevës. Po të kishim bërë edhe një akt të tillë, pse jo do t’i kishim ftuar edhe mediat, edhe miqtë tanë. Së pari do të kishim njoftuar sidomos Republikën e Shqipërisë, sikurse edhe atë të Kosovës, por edhe miqtë tanë që e përkrahin nismën tonë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian”, tha Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar.

Por këto çështje, në atmosferën e hartave të prera nuk shkaktojnë pak emocione.

“Shqiptarëve u duhet më shumë sesa kurrë uniteti tani. Duhet të jenë të bashkuar për zgjidhjen e problemeve të tyre në Luginën e Preshevës. Kjo u duhet më së shumti shqiptarëve, por edhe mbështetja nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, të cilat duhet të na qëndrojnë më pranë”, tha më tej Jonuz Musliu.

Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë mendojnë se, ndoshta pas zbulimit të burimit të këtij informacioni mund të kishte komente, por ata nuk kanë dëgjuar për shpalljen e autonomisë nga ana e tyre.

Tri qytetet ku jetojnë shqiptarët; Presheva, Bujanoci e Medvegja; një muaj më parë formuan Asociacionin e Komunave shqiptare, si përgjigje ndaj marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë, por që ende nuk ka marrë asnjë formë.

Në Preshevë, megjithatë, nuk ka pasur mbledhje të tilla e aq më pak shpallje.

Top Channel