Presidenti Nishani: Po përgjohet jeta private e imja dhe e familjarëve të mi

29/10/2015 00:00

Marrëdhëniet mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës nuk janë në ditët e tyre më të mira, po ashtu as situata në drejtësi, ekonomi dhe aktualitetin politik në vend.

Në mes të gjithë këtyre, cili është roli i Presidentit? A ka një qëndrim politik të tij në vendimet për të kthyer ligjet e mazhorancës? Çfarë mendon kreu i shtetit për reformën në drejtësi dhe për situatën në të cilën ndodhet politika e vendit?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu përgjigj këtë të enjte vetë Presidenti Bujar Nishani, përballë gazetarit Sokol Balla dhe panelit të analistëve Skënder Minxhozi, Mustafa Nano dhe Arjan Vasjari.

Kreu i Shtetit e nisi fjalën e tij duke thënë se të gjitha kthimet në Kuvend janë në përputhje me kompetencat dhe Kushtetutën.

“Nuk ka një kthim ligjesh për motive politike, edhe mazhoranca e ka pranuar këtë. Ligjet janë kthyer për rishikim. Kam ushtruar të drejtën e dekretit, ndërsa sa për numrin e lartë të ligjeve të kthyera, mjafton të shihnin numrin e atyre që kthen Presdenti austriak në parlamentin vendas”, deklaroi Presidenti, Bujar Nishani.

Kreu i shtetit la të kuptohej se ishte presidenti më i sulmuar nga mazhoranca në demokracinë shqiptare.

“Nuk ka patur kurrë një frekuencë kaq të lartë të deklaratave adresuar Presidentit nga salla e parlamentit, ndërsa po të shihni të gjitha qëndrimet e Presidentit kanë qenë qëndrime personale dhe të detyruara për të sqaruar opinionin publik”, tha Nishani.

Presidenti Nishani pranoi që ekziston një polarizim i thellë në klasën politike aktuale dhe për këtë fajësoi përgjithësisht mazhorancën.

“Jam dakort që sot ka një polarizim të madh të politikës shqiptare dhe përgjegjësia e madhe bie mbi mazhorancën. Ka qenë mbi mazhorancën e djeshme dhe është mbi mazhorancën e sotme dhe do të jetë mbi çdolloj mazhorance në të ardhmen”, tha Nishani.

Por si mund të ndikojë institucioni i Presidentit në zbutjen e këtij polarizimi të thellë. Presidenti Bujar Nishani deklaroi se mazhoranca e ka sulmuar vazhdimisht përmes reduktimit të kompetencave, ndaj roli i tij në zbutjen e polarizimit është tejet i reduktuar.

“Puna e Presidentit bazohet në tre shtylla kryesore, sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe pjesërisht në sistemin e drejtësisë; të tre koto kollona kanë ardhur duke u goditur dhe një pjesë e tyre janë shembur. Së pari janë hequr kompetencat si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. U desh ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer disa prej tyre. Përmes kësaj u godit imazhi i Presidentit. Tek politika e jashtme, iu bllokua dhe iu hoq tërësisht pjesëmarrja dhe përfshirja në procesin e emërimit të ambasdorëve, së treti prej dy vitesh nuk ka ndodhur asnjëherë që presidentëve të mëparshëm t’u rrëzohen të gjitha emërimet në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha rrëzimet janë bërë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese e cila ngarkon që Presidenti duhet të justifikojë kandidaturat dhe Parlamenti duhet të japë shpjegime. Në të gjitha rastet Parlamenti nuk ka dhënë asnjë shpjegim për rrëzimin e kandidaturave”, deklaroi Presidenti i Republikës.

Presidenti iu përgjigje edhe akuzave në lidhje se në stafin e tij ka të punësuar njerëz të lidhur me Partinë Demokratike. Ai pranoi rastet kur këshilltarë të institucionti që drejton kanë dalë me deklarata politike, por shtoi se ndaj tyre janë marrë masa.

“Sa i takon çështjes sesi janë shfaqur disa këshilltarë, garantoj që në rastet që ata kanë shkuar përtej kompetencave, ata nuk janë më pjesë e institucionit të Presidentit të Shqipërisë. Në momentin kur dikush angazhohet në parti, ju garantoj që nuk ka patur asnjë rast të vetëm në orar zyrtar.Në momentin që kjo është zbuluar, është bërë në mënyrë taksative sqarimi dhe ndarja e konceptit sesi duhet të jetë një punonjës i administratës së Presidentit, është reaguar në mënyrë pozitive”, tha Nishani.

Kreu la të kuptohej se ligji nuk ndalon emërimin ambasadorë të personave të angazhuar politikisht me një parti politike dhe shtoi se gjatë tranzicionit të pushtetit pas zgjedhjeve të 2013-ës, së bashku me qeverinë në ikje vendosi për të mos zgjatur apo ndryshuar asnjë ambasador, për t’ja lënë këtë detyrë qeverisë së re. Lidhur me përplasjet me maxhorancën për disa emërime, Nishani tha se ka respektuar parimin për të mos i ndërprerë mandatin asnjë ambasadori në vendet ku janë akredituar.

“Nëse e shikoni janë një grusht emrash që janë kthyer, më pak se gishtat e njërës dorë dhe të gjitha kthimet janë argumentuar publikisht nga ana e Presidentit të Republikës”, tha ai.

Duke iu rikthyer zërave për përgjime, Presidenti i Republikës deklaroi se përfaqësues të administratës shtetërore po përgjojnë jetën e tij private dhe të familjarëve të tij, por shtoi se nuk akuzon kryeministrin Rama për këtë.

“E kam deklaruar publikkisht disa herë në mënyrë shumë serioze, që jeta ime private dhe e familjarëve të Presidentit ka qenë nën survejim dhe nën përgjim. Kjo është një çështje që në kontekst raporti institucional është shumë serioze. Për mua nuk përbën asnjë lloj problemi, jam shumë krenar për jetën time private dhe të familjarëve të mi dhe për këtë nuk kam asnjë merak, por është nëj çështje që nuk meriton për momentin të ketë prioritet, por unë nuk do të heq dorë derisa kjo çështje të hetohet nga drejtësia”, deklaroi kreu i shtetit.

Presidenti Nishani deklaroi se ka prova dhe fakte në lidhje me përgjimin ndaj tij dhe familjarëve të tij, ndërsa shtoi se nuk i është drejtuar Prokurorisë për të denoncuar këtë, pasi sheh si të fortë influencën e qeverisë mbi sistemin e drejtësisë sot.

“Për fat të keq, në konfirmimin që kam, të shumë provave dhe fakteve që kam, rezervimi im ka të bëjë me influencën e fortë të qeverisë në sistemin e drejtësisë sot për sot”, tha Presidenti i Republikës.

Pyetjeve nëse kishte menduar ndonjëherë dorëheqjen pas ardhjes në pushtet të mazhorancës së majte dhe nëse mendon rikandidimin në vitin 2017 për një tjetër mandat në krye të shtetit, Nishani iu përgjigj:

“Nuk e kam menduar asnjëherë dorëheqjen sepse nuk jamë një tip që dorëzohem lehtë politikisht. Sa i takon pyetjes së dytë, kam shumë punë të rëndësishme përpara, por objektivi im i parë është padyshim një mandat i dytë”, deklaroi Nishani.

Sa i takon reformës në drejtësi, Presidenti ritheksoi nevojën e ndërmarrjes së saj, por kërkoi që të bëhet kujdes me ndryshimet që do të bëhen. Nishani tha se i është drejtuar Komisionit të Venecias përmes një letre, ndryshe nga opozita, Komisioni ad-hoc dhe LSI, që janë paraqitur me draftet e tyre.

“Opozita i dërguar një draft me amendamente Komisionit të Venecias, ndërsa Presidenti një letër me shtatë paragrafe ku fokusohet tek rëndësia e reformës dhe shqetësimet që kam patur për procesin. Kam marrë tre drafte në dorë, atë të opozitës, atë të LSI-së dhe ai i Komisionit ad-hoc. Shkojmë tek Komisioni i Venecias me tre drafte dhe kjo tregon mungesa konsensusi”, deklaroi Nishani.

Kreu i Shtetit përmendi disa pika, që sipas tij, shndërrojnë gjyqësorin në vend si degë të administratës publike.

“Këto propozime që janë bërë deri më sot, atyre të komisionit parlamentar, pushteti gjyqësor mbyllet dhe shndërrohet në një degë të administratës publike. Së pari, kërkohet në mënyrë ultimative që ndryshimet dhe ligjet që do të miratojë parlamenti duhet të mos shpallet antikushtetuese nga gjykata kushtetuese. Kjo është shumë e rëndë. Ne nuk po ndryshojmë të gjithë Kushtetutën, po ndryshojmë pjesë të kushtetutës, po e fusim kushtetutën në një qorrsokak. Pjesa e dytë, kërkohet që të ndalohet në kushtetutë krijimii gjuykatave speciale, që do të thotë që krimet e rënda nuk mund të funksionojë më se ne tek ne, krimet e rënda është gjykatë speciale, i gjithë shqetësimi është që të mos hetohen krimet e komunizmit, kjo për mua është e papranueshme. E treta, me këtë draft kërkohet që 8 nene, që parashikojnë mbrojtjen dhe lirive themelore të të drejtave të njeriut të pezullohen për një farë kohe. Kërkohet që të bëhet një proces hetimi për gjyqtarët, ku një komision i disiplinës do të shkojë derë më derë për të marrë opinionin e qytetarëve, mbi bazën e të cilit mund të shkarkohet një gjyqtar dhe me amendamentet, këtij gjyqtari i mohohet e drejta për t’u ankuar në gjykatë”, deklaroi Presidenti Nishani.

Top Channel