Zarif mbërrin në Vjenë: Pa Iranin s’mund të kishte zgjidhje; Kerry: Assad duhet të largohet

29/10/2015 00:00

Uashingtoni ka theksuar sërish kërkesën, që Presidenti sirian Bashar al-Assad të largohet nga pushteti, edhe këtë të enjte, teksa përgatitet për bisedimet e para për paqe me përfshirjen e aleatit kryesor të Assadit, Iranin, duke reflektuar kështu pozicionin e palëkundur, pavarësisht ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në krahun e kreut sirian.

Përgjatë 4 viteve të luftës civile në Siri, e cila ka lënë mbi 250 mijë njerëz të vdekur dhe mbi 10 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre, aleati kryesor i Assadit në rajon, Teherani nuk është lejuar të marrë pjesë në konferencat ndërkombëtare për paqen, të cilat faktikisht kanë përfunduar të gjitha si të dështuara.

Por, vetëm 4 javë pasi Rusia nisi bombardimin e armiqve të Assadit në terren, vendet që kërkojnë largimin e tij nga posti i Presidentit, përfshi këtu Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe Arabinë Saudite, kanë rënë dakord t’i japin një vend pjesëmarrësi Iranit në tryezën e negociatave.

“Ata që janë përpjekur të zgjidhin krizën siriane, kanë dalë në konkluzionin se pa Iranin e pranishëm nuk ka asnjë mundësi për të arritur një zgjidhje të arsyeshme për të”, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, teksa mbërrinte në Vjenë këtë të enjte, përpara konferencës së të premtes.

Zarif u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë kësaj pasditeje në Vjenë, për të zhvilluar bisedime mbi çështje të tjera, përfshi edhe marrëveshjen bërthamore të korrikut mes Iranit dhe fuqive botërore. Kerry u takua gjithashtu edhe me kryediplomatin rus, Sergei Lavrov, si dhe me ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite dhe Turqisë.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Tom Shannon tha nga Uashingtoni se, Kerry do ta shfrytëzojë konferencën për të parë nëse Teherani dhe Moska do të mund të pranojnë një ndryshim në udhëheqjen e Damaskut, si dhe vlerësoi angazhimet e tyre për të luftuar grupin e Shtetit Islamik.

SHBA-të dhe aleatët e tyre europianë dhe ata në Lindjen e Mesme i kanë kërkuar Assadit të dorëhiqet nga posti, si kusht i çdo marrëveshjeje të mundshme për paqe në Siri. Megjithatë, ai ka refuzuar ta bëjë diçka të tillë dhe, Rusia e Irani vazhdimisht e kanë mbështetur duke refuzuar çdo kërkesë të tillë.

Top Channel