Nishani: Nuk do t’i marrim makinat që do të sjellë Qeveria

29/10/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani ishte i ftuar mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Top Story”, ku kryesisht foli për situatën në drejtësi, por në fund të emisionit teksa po fliste për mënyrën sesi përdoren fondet publike, ai zbuloi se Qeveria ka parashikuar të japë edhe dy makina për institucionin e Presidentit të Republikës, që Këshilli i Ministrave synon të marrë me qira. Por ai tha se Presidenca nuk do t’i marrë këto makina.

“Qeveria ka parashikuar të japë edhe dy makina për institucionin e Presidentit të Republikës. Unë gjej rastin për ta falenderuar që kanë menduar për të ndihmuar këtë institucion. Por Presidenca nuk mund t’i marrë dhe nuk do t’i marrë sepse ne nuk kemi mundësi për t’i mbajtur”, tha Presidenti.

Sipas Nishanit, kostoja e lartë që kërkohet për të paguar për automjetet çon në refuzimin e tyre.

“Sot Presidenca shpenzon 10 milionë lekë të vjetra në vit për mirëmbajtjen e 3 makinave. Ne na kërkohet që të paguajmë 110 milionë lekë të vjetra në vit për dy makina. Ne nuk i kemi këto para, por edhe nëse Qeveria do të jetë e gatshme të na i japë këto para për t’ja paguar më pas qirasë, ne do të preferonim që t’i merrnim këto para dhe t’i shpenzonim për gjëra më të rëndësishme”, u shpreh në “Top Story” Presidenti Nishani.

Top Channel