Tre tragjeditë detare që ndodhën brenda një dite në Greqi, në të cilat 18 refugjatë, midis tyre 12 fëmijë, gjetën vdekjen në ujërat e Egjeut, nuk kanë ndalur aspak fluksin e emigrantëve nga brigjet turke drejt ishujve greke.

Megjithë temperaturat e ulta dhe detin e trazuar, në mbrëmjen e së enjtes një barkë tjetër e mbushur plot me refugjatë sirianë zbarkoi në një plazh shkëmbor të ishullit të Lesvos, ndërsa dy të tjera me më shumë se 100 vetë në ishullin e Hios.
 
Vendet europiane duhet të bashkojnë forcat për të përballuar krizën e refugjatëve ka qenë mesazhi kryesor i ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në takimet që ka pasur me presidentin, kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Greqisë gjatë një vizite zyrtare në kryeqytetin grek.

“Unë jam i bindur se nuk do të zgjidhim diçka nëse vetëm tregojmë me gisht njëri-tjetrin; vendet tranzit kundër vendeve në anën tjetër të kufirit; Greqia kundër Ballkanit Perëndimor; Ballkani Perëndimor kundër Gjermanisë dhe Austrisë. Kjo nuk do të na çojë askund”, tha Steinmeier.
 
Disa orë para bisedimeve ndërkombëtare për Sirinë, Steinmeier ka deklaruar nga Athina se për të përballuar krizën e refugjatëve, vendet evropiane duhet të krijojnë një agjenci të përbashkët për mbrojtjen e kufirit, të negociojnë me Turqinë dhe të gjejnë një mënyrë për një marrëveshje me presidentin sirian Bashar al-Assad, për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.

“Por nuk është e mjaftueshme që të kërkohet një zgjidhje mes shteteve anëtare të BE-së, ne gjithashtu duhet të flasim me vendet tona fqinje, kështu që negociatat mes BE-së dhe Turqisë do të ishin një hap i duhur”, deklaroi Steinmeier.

Më shumë se 500.000 refugjatë kanë hyrë në Greqi nëpërmjet ishujve të saj nga janari, me destinancion Europën qendrore dhe veriore në atë që është konsideruar si kriza më e madhe humanitare në kontinent në dy dekada.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord të dielën në një mini-samit në Bruksel për të bashkëpunuar në menaxhimin e rrjedhës së emigrantëve nga Greqia drejt Ballkanit dhe për të ndihmuar në lehtësimin e një krize që kërcënon t’i vendosë shtetet evropiane kundër njëri-tjetrit.

Sipas Steinmeier, Berlini nuk mund të përballojë i vetëm këtë krizë dhe tashmë më shumë se kurrë është e nevojshme të ketë më shumë Evropë dhe të jemi të gatshëm të ndajmë barrën në mënyrë të drejtë, ka theksuar nga Greqia kreu i diplomacisë gjermane.

Top Channel