Rama: Më shumë kompetenca për të zgjedhurit vendorë

30/10/2015 10:30

“Të zgjedhurit vendorë do të marrin edhe më shumë kompetenca në sajë të reformës së decentralizimit, duke thjeshtuar në këtë mënyrë shtetin”. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në Konferencën kombëtare të qeverisjes vendore. Duke shpjeguar hapat e mëtejshëm të reformës së decentralizimit, Rama tha se do të ketë një transformim të nivelit të qeverisjes vendore.

“Një nga pikat është transformimi i gjithë nivelit të poshtëm të qeverisë në territor në dy drejtime; një pjesë do të bashkohet me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të forcuar bashkëpunimin me fermerët, për të ndikuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe për të shkruar dhe financuar projekte, pa të cilat as BE, as qeveria, as dhe bankat nuk mund të financojnë fermerët. Duhet ta thjeshtojmë maksimalisht shtetin dhe punën e të dy niveleve. Qeveria qendrore duhet të vazhdojë të tërhiqet nga punët komunale, duhet të vazhdojë të tërhiqet nga ekzekutimet. Qeveria qendrore duhet të marrë rolin e politikëbërësit, monitoruesit dhe garant të standardeve. Kemi qeverinë qendrore që bën më shumë tendera në të gjithë Europën, ndaj duhet të lëshojmë shumë në këtë drejtim”, tha kryeministri.

Reforma e decentralizimit është reforma më e suksesshme dhe jokonsensuale, tha më tej Rama. Gjatë 20 viteve, sipas tij është imponuar një sistem skandaloz administrimi që ka shkatërruar të gjitha burimet.

“Kërkimi i konsensusit me çdo kusht dhe duke shkelur çdo vlerë cilësore të produktit nuk është domosdoshmërisht rruga më e mirë. Për herë të parë ne siguruam jo vetëm aksesin e grave dhe vajza ne procesin e vendimmarrjes, por shënuam një arritje historike për Shqipërinë, kemi 50% gra. Në të gjithë territorin falë instrumentit të anketimit nga donatorët, tregoi se kudo shqiptarët në jnë shumicë dërrmuese kërkonin këtë transformim, të çliroheshin nga ligejt feudale të feudeve t vogla. Nëse ka një shkatërrim të inventarizuar më së miri zë për zë në të gjithë këtë tranzicion të vështirë është shkatërrimi që i ka sjellë vendit keqorganzimi territorial dhe administrativ”, tha kryeministri Rama.

Top Channel