Vjenë, 5 vende në kërkim të zgjidhjes për luftën 4-vjeçare në Siri

30/10/2015 11:55

Këto të Vjenës janë të parat bisedime që ulin së bashku në një tryezë të gjitha fuqitë e huaja përkrahëse të palëve kundërshtare në luftën civile të Sirisë. Takimi do të synojë sheshimin e hendekut mes Amerikës dhe aleatëve të saj që mbështesin rebelët e moderuar dhe aleatëve kyçë të qeverisë siriane, Rusisë dhe Iranit.

Republika Islamike nuk ishte përfshirë kurrë më parë në përpjekjet diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit sirian. Shefi i OKB-së, Ban Ki-Moon i nxiti paraprakisht pjesëmarrësit të tregojne “fleksibilitet” dhe “lidership global”.

“Shpresoj nga zemra që të arrijnë ta zgjidhin vërtet këtë çështje me një farë gadishmërie për lëshime, pavarësisht dallimeve që mund të kenë në këndvështrimin e tyre politik apo qasjen ndaj problemit. Në atë tryezë, që të gjithë duhet të jenë të bashkuar”, tha Ban Ki-Moon.
 
Lufta më shumë se 4-vjeçare e Sirisë, e nisur në vitin 2011 me revoltën ndaj Bashar al-Assadit, ka marrë deri më tani 250.000 jetë njerëzish e ka detyruar shpërnguljen e pothuajse gjysmës së popullsisë së vendit, apo 11 milionë banorë. Dy përkrahësit e mëdhenj të Damaskut, Moska dhe Teherani, e kanë shtuar së fundi përfshirjen e tyre ushtarake në konflikt, duke i dalë në krah të forcave besnike të Assadit.

Shtetet e Bashkuara, Turqia, Arabia Saudite dhe të tjera vende të Gjirit Persik, i mëshojnë idesë se lideri sirian nuk mund të luajë një rol afatgjatë në të ardhmen e vendit, e këtë, ministri i Jashtëm saudit Adel al-Jubeiri e bëri edhe një herë të qartë përpara bisedimeve. Assadi, i tha ai BBC-së, ose do të largohet përmes një procesi politik, ose do të përmbyset me forcë. Ministrat e Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse zhvilluan të enjten disa takime të shkurtra jozyrtare, ndërsa diskutimet e rëndësishme janë lënë për sot.

Por nisur nga kompleksiteti i situatës dhe ashpërsimi i konfliktit në Siri, shumë diplomatë perëndimorë nuk e fshehin mungesën e optimizmit e thonë se nuk kanë pritshmëri të mëdha nga ky takim.

Top Channel