Lindjet në Kinë, mirëpritet zbutja e kufizimeve

30/10/2015 12:25

Media shtetërore kineze ka mirëpritur lajmin se kina po ndryshon politikën e vjetër të lindjes së vetëm një fëmije me një editorial në të cilin nënvizohet se kjo është në përputhje me vullnetin e popullit.

Por, grupet e të drejtave kanë thënë se masat deri më tani nuk shkojnë aq larg sa duhet dhe se kufizimet duhen hequr në tërësi. Të enjten, qeveria tha se do të zbuste rregullat për të lejuar që çiftet të mund të lindin dy fëmijë. Qeveria tha se ky vendim ishte marrë për shkak të plakjes së shpejtë të popullatës dhe për të ndihmuar mbështetjen e ekonomisë.

Sidoqoftë, zyrtarët nuk kanë saktësuar se kur do të fillojë implementimi i politikës së re të lindjes së dy fëmijëve. Një grua kineze e cila pret një fëmijë, sidoqoftë, duhet të regjistrohet pranë autoriteteve lokale për miratim. Por besohet se tani do të thjeshtohet sistemi i regjistrimit dhe aprovimit.

Autoritetet po ashtu thonë se do të përmirësohet kujdesi mjekësor për gratë shtatzëna dhe nënat. Rreth 60% e grave që mund të kenë një fëmijë të dytë janë aktualisht mbi moshën 35 vjeç.

Politika e shumëdiskutuar e Kinës për lejimin e lindjes së vetëm një fëmije, ka nisur të aplikohet në vitin 1979 për të ngadalësuar shkallën e rritjes së popullsisë dhe vlerësohet se ka penguar rreth 400 milionë lindje.

Edhe pse ka pasur përjashtime nga kjo politikë, pjesa më e madhe e çifteve që e shkelnin atë përballeshin me dënime, nga gjobat dhe humbja e vendit të punës e deri tek abortet e detyrueshme.

Top Channel