Meksikë, memorial në nderim të gazetarëve të vrarë

30/10/2015 12:50

Për të nderuar kujtimin e gazetarëve meksikanë të vrarë mes viteve 2005-2015, muzeu i kujtesës dhe tolerancës inauguroi një monument të enjten në qytetin e Meksikos. Me ndihmën e grupit që mbron të drejtat e gazetarëve, “Article 19”, muzeu ngriti një altar në prag të ditës së të vdekurve, 1 dhe 2 nëntorit.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Meksika renditet e shtata në një listë vendesh të botës për numrin më të madh të gazetarëve të vrarë, duke ndjekur Irakun, Somalinë, Rusinë etj. Memoriali përfaqëson një apel për të respektuar lirinë e shprehjes dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet me të cilat përballen gazetarët në punën e tyre.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 32 reporterë janë vrarë në Meksikë që nga viti 1992. Më 31 korrik, një fotoreporter nga Verakruzi, Ruben Espinoza dhe katër gra, u gjetën të vdekur në një apartament në qytetin e Meksikos, duke shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare për kushtet në të cilat përfaqësuesit e medias punojnë në shtetin në gjirin e Meksikës. 

Të paktën 18 gazetarë nga Verakruzi janë vrarë që nga viti 2000, sipas “Article 19”. Meksikanët mbajnë gjallë një traditë që përzien rituale katolike me besime më të hershme, sipas të cilave, të vdekurit kthehen një herë në vit nga bota e përtejme.

Në Ditën e të Vdekurve digjet temian dhe ndizen qirinj, ndërkohë që njerëzit veshin maska të frikshme, mbajnë në duar arkivolë prej çokollate, skelete dhe foto të të vdekurve.

Top Channel