Prokuroria, sekuestro preventive pasurive të Fatmir Kajollit

30/10/2015 13:00

Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive për pasuritë e Fatmir Kajollit, pasi dyshon se kjo pasuri është krijuar në bazë të aktivitetit kriminal, për të cilin ai është dënuar në Itali.

Janë sekuestruar gjithsej 2.1 milionë metra katrorë tokë pyll, arë dhe truall në zonën turistike në Fier, përfshirë edhe 1700 metra katrorë ndërtesë. Prokuroria për Krime të Rënda ka kryer verifikimet në bazë të ligjit “Antimafia”, nisur nga referimi i Policisë së Shtetit, dhe ka marrë lejen nga Gjykata për Krime të Rënda për të vendosur sekuestron në pasuritë e paluajtshme, si edhe shoqëritë private të regjistruara në emër të shtetasit Fatmir Kajolli, Majlinda Çuko (Kajolli) dhe Florim Kajolli.

Shtetasi Fatmir Kajolli është dënuar nga Gjykata e Milanos në Itali, në vitin 2001, me 24 vite burg për veprat penale të “trafikimit, prodhimit dhe posedimit të lëndëve narkotike”. Po ashtu, ndaj tij, Gjykata e Romës, në vitin 2000 ka vendosur dënimin me 16 vite burg për veprat penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe shkelje të ligjit për narkotikët”.

Top Channel