Asociacioni mbërrin në Kushtetuese

30/10/2015 14:20

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të arritur më 25 gusht nga kryeministri Isa Mustafa dhe ai serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Selim Selimi, këshilltar për çështje juridike i presidentes Jahjaga, ka konfirmuar për Top Channel dërgimin e lëndës në Kushtetuese, duke sqaruar se presidentja këtë e ka bërë duke u bazuar në kompetencat që i jep Kushtetuta.

“Presidentja sot ka marrë vendim që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ka kërkuar që të interpretohet përputhshmëria e parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi këshilltari Selimi.  

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, sipas Selimit, presidentja ka kërkuar edhe masë të përkohshme, duke pamundësuar kështu fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, pa u sqaruar rasti në Gjykatën Kushtetuese.

“Presidentja, me referimin e çështjes nuk e paragjykon dokumentin e parimeve të Asociacionit, por kërkon që të bëhet një interpretim i përputhshmërisë. Gjithashtu, në kërkesë presidentja ka kërkuar edhe masë të përkohshme, duke u bazuar në interesin publik”, shtoi Selimi.  

Selimi tha se presidentja Jahjaga ka marrë vendim për referimin e kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese, pas takimeve që ka zhvilluar me udhëheqësit e partive parlamentare në Kosovë dhe në kuadër të përgjegjësive që ka presidentja për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.

Pas pranimit të lëndës nga presidentja kosovare, Gjykata Kushtetuese, sipas ligjit të saj, e ka për detyrim që brenda shtatë ditëve të marrë një vendim për masën e përkohshme ndaj marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Top Channel