Studimi i fundit: Yndyrnat nuk të shëndoshin

30/10/2015 00:00

Përmes studimit të tyre më të fundit, publikuar nga revista prestigjoze mjekësore “Lancet”, kërkuesit e universitetit të Harvardit hedhin hije dyshimi mbi dekada të tëra pretendimesh se njerëzit dobësohen duke eleminuar yndyrnat.

Dietat low-fat nuk funksionojnë, është rezultati në të cilin del grupi i studiuesve pas mbikqyrjes së mbi 68.000 personave të rritur. Në thelb, sipas tyre, nuk ka prova që të mbështesin rekomandimin e dietave të tilla. Pavarësisht dogmës tepër të përhapur se duhet të heqësh yndyrën nga ushqimet që konsumon nëse dëshiron të humbësh peshë, nuk ka elemente që ta mbështesin një teori të tillë, sidomos nëse diskutohet për dobësim afatgjatë.

Në 1983-shin, qeveria britanike kishte dalë me një udhëzues zyrtar përmes të cilit këshillonte shtetasit e vet të reduktonin në 30% të energjisë totale nivelin e yndyrës së konsumuar, e të rrisnin nga ana tjetër konsumin e karbohidrateve. Kritikët thonë se një masë e tille kontribuoi ndjeshëm në boom-in e produkteve ushqimore dietike, në maninë e njerëzve për të numëruar kaloritë e i dha dorë industrisë së dobësimit.

Tashmë, çdo ditë e më shumë po dalin në dritë prova se jo çdo lloj yndyre është e dëmshme, dhe se disa prej tyre mund të luajnë rol në mbrojtjen e zemrës e madje edhe në humbjen e peshës. Së fundi, sytë kanë nisur të kthehen nga dieta ushqimore mesdhetare, e cila përveç frutave, perimeve apo drithërave, është mjaft e pasur edhe me vaj ulliri, peshk apo arra.

Top Channel