Ikën Macovei, PPE pritet të emërojë një tjetër përfaqësues për Shqipërinë

30/10/2015 14:55

Monica Macovei, kryetarja aktuale e Delegacionit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, pritet të zëvendësohet për këtë detyrë nga grupimi i djathtë europarlamentar, meqë ajo nuk përfaqëson më këtë familje politike.

Pasi  garoi si kandidate e pavarur në zgjedhjet presidenciale të 2014-s, eurodeputetja e deritanishme PPE-së krijoi më 3 qershor 2015 në Rumani, partinë e qendrës së djathtë ‘M10’. Kjo parti iu bashkua zyrtarisht këtë javë grupit të konservatorëve dhe reformistëve në Parlamentin Europian. 

Për pasojë, një tjetër eurodeputet i PPE-së pritet të emërohet në krye të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit PE-Shqipëri, meqënëse ky vend i takon së djathtës, sipas ndarjes së pajtuar mes grupimeve politike në nisje të kësaj legjislature.

Ende nuk dihet se kush do të jetë pasuesi i Macovei, por burime konfidenciale pranë PPE-së rrëfyen për Top Channel se emri i ri pritet të përcaktohet nga kryetari aktual i Komitetit të Jashtëm, Elmar Brok dhe ka paqartësi sesi do të procedohet për këtë zëvendësim, përpara përfundimit të mandatit të saj formal prej 2.5 vjetësh.

Top Channel