Fitoni dhe ngopuni, por të paktën mos u tallni!!!

30/10/2015 00:00

Nga Eva Kushova – Lajmet për korrupsion, për tenderë të ndyrë që fitohen gjithnjë nga njerëz të lidhur me politikën, për vjedhje e mashtrime galopante, vlojnë gjithandej në Shqipërinë tonë. Në fakt, nuk janë lajme të reja. Kështu u pasuruan ata që ikën, në të njëjtën rrugë po vijojnë edhe të rinjtë. Ekziston një shprehje nën zë mes militantëve të njërës prej partive në koalicion: “Kap çfarë të kapësh”. Dhe atë po bëjnë, me shpejtësi e në garë me njëri-tjetrin, kush e kush të ngopet sa më shumë, që ta tresë rehat kur të jetë në opozitë. Përballë, qytetarët rrinë e i vështrojnë, pa mundur t’i ndalojnë.

Shqiptarët duket se u regjën me gjithë këto lajme korrupsioni. Jo se nuk ndiejnë neveri, por e dinë që të gjithë aferat do të shuhen, për sa kohë s’ka drejtësi, ku gjyqësori është kokë e këmbë i korruptuar për vete. Nuk shpresojnë as nga mediat, që sot nxjerrin një skandal e nesër heshtin.

Veç kësaj shqiptarët u mësuan me raportet ndërkombëtare, që e rendisin Shqipërinë në fund të çdo liste, ose në krye për keq: Shqipëria, vendi me çmimet më të larta të karburantit, të ilaçeve, të biletave të avionit, të kostos së arsimit, etj., etj., dhe ndër vendet e fundit në rajon, për cilësi jetese, paga të ulëta, doing business etj., etj… Ata që s’durojnë dot, kanë vendosur të ikin, të tjerët në heshtje shohin punën e tyre, përpiqen me mund e me djersë të mbijetojnë, duke e pranuar, se do të jetë shumë e largët dita kur shteti vërtet të mendojë për qytetarët e vet.

Tashmë dhe imazhi i Parlamentit u vulos me një figurë të spikatur kauboji, që për shumë qytetarë është simboli i shtresës më të ulët që përfaqëson drejtuesit tanë, ata që duhet të bëjnë ligjet dhe politikën e këtij vendi. Gjithsesi, ai nuk është aty për faj të tij. Por dhe këtë e marrim me të qeshur. Fundja kush do të reagojë? Ata që reagonin dikur fort, sot janë shpërndarë nëpër institucione. Për një rrogë të gjithë heshtin, shoqëria civile ka “vdekur” në njëfarë mënyre. Opozitën s’e beson njeri, se bënte të njëjtat “mrekullia” kur ishte në pushtet.

E kemi pranuar që në politikë hyhet për të fituar, e kemi pranuar se kush hipën në pushtet harron premtimet që u ka bërë, qoftë dhe bashkëfshatarëve të vet për t’i ndihmuar në hallet e tyre të përditshme. Të jesh në pushtet dhe të punosh vetëm për portofolin tënd, për pasurinë tënde, për vila, arsimimin e fëmijëve, apo biznese familjare, apo edhe për “ekspozita për famë”, është dukuri e njohur njerëzore në vendet në tranzicion, por të tallesh hapur me ata që të zgjodhën kjo është e pafalshme.

A ka zbritur qeveria ndonjëherë në zonat e thella në Shqipëri, ku njerëzit jetojnë në kasolle? Vitin e shkuar në një emision televiziv, në pjesën “Poëer Kids”, pikërisht pas malit të Dajtit jetonte një familje, ku një vajzë bashkëmoshatare me fëmijët konkurrentë, nuk kishte parë kurrë televizor me sy. Vetëm një mal e ndan shtëpinë e kryeministrit nga ajo familje. Vetë prezantuesi, i mallëngjyer nga kjo histori premtoi t’ia blinte personalisht një televizor vajzës së vogël. Nga ana tjetër shpesh emisionet si “Shqipëria tjetër” tregojnë njerëz mes shtëpive haur, ku shiu e uji hyjnë në të katër anët, tregojnë nxënës që ecin me orë të tëra, në rrugë pa rrugë, dhe mbërrijnë në shkolla pa dyer e xhama. Njerëz të sëmurë, të izoluar, të pastrehë, pa asnjë ndihmë. Kjo është Shqipëria e varfër zotërinj pushtetarë.

Fitoni, ngopuni, blini veshje firmato, e jaguarë, por mos u tallni. Kjo është e tepërt. Ata s’po ju kërkojnë asgjë, të paktën mos u tallni. Nëse keni dëshirë t’u dhuroni gjë, shkoni vini ca xhama në dritaret e shkollave, dërgoni ca soba, apo ca ngrohës, çojuni energjinë elektrike dhe përgjysmojani çmimin, hidhni ca gurë në rrugët e pakalueshme, ndërtoni ndonjë urë që të mos e kalojnë lumin në këmbë, bëni të mundur që të mos vdesin nga i ftohti dhe nga mungesa e ilaçeve. Këta janë të varfrit dhe kaq duan. Nuk duan as punë, as bukë. Ata janë mësuar tashmë me dorën e munguar të shtetit. Edhe ata që e dinë se do përmbyten apo do izolohen nga bora gjatë dimrit, i kanë bërë gati ato thasë me miell, patate a fasule për t’i konsumuar. Nuk do presin t’i ndihmojë dikush nga qielli. Turp për ju që ende nuk e keni kuptuar realitetin ku jeton populli juaj. Turp për ata që vazhdojnë t’ju votojnë.

Gazeta Shqip

Top Channel