Rrëmbejnë dhe rrahin 24-vjeçarin, arrestohen tre persona

30/10/2015 00:00

Tre persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi një ditë më parë kishin rrëmbyer e dhunuar një 24-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 29 tetorit në lagjen “28 Nëntori”.

Sipas policisë, janë arrestuar Xhorxho Çeçi, 50 vjeç, i njohur ndryshe dhe si Maksim Habili, Julian Habili, 29 vjeç dhe Besnik Dalipaj, 29 vjeç. Gjithashtu janë shpallur në kërkim Klaudio Bylyshaj, 22 vjeç, Mateo Rama, 21 vjeç dhe Miky Ibrahimi, 37 vjeç.

Pasditen e të enjtes ata kanë marrë me forcë nga një kazino në lagjen “28 Nëntori”, 24-vjeçarin D. S. Ata e kanë transportuar me një automjet në një tjetër ambient, ku e kanë rrahur e më pas e kanë lënë në tokë pranë sheshit të Flamurit.

Personi i dëmtuar aktualisht është shtruar në spitalin e Vlorës,ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka sekuestruar dhe mjetin që është përdorur për të transportuar 24-vjeçarin.

Top Channel