Pr.buxheti, biznesi vendas: Mos rrisni taksat! Na falimenton importi

30/10/2015 16:15

Zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj deklaroi se qeveria është në negociata me Fondit Monetar Ndërkombëtar për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit tjetër.

“Në këtë aspekt ajo që po bëjmë është që të të ndjekim të njëjtën metodologji të parashikimit qoftë të të ardhurave, qoftë edhe të shpenzimeve, por nuk po diskutojmë as për rritje taksash dhe as për zvogëlim të tyre”, deklaroi zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj.

Zonja Beqiraj ishte për vizitë në një biznes prodhues të pijeve alkolike për të diskutuar mbi aksionin kundër informalitetit. Por aty është përballur me kërkesat e biznesit për të mos rritur taksat mbi prodhimin vendas.

“Sigurisht që ne si biznes vendi as mund të pranojmë rritjen e taksave, por unë them që në këtë moment të paktën të ruajmë raportet në mes taksës së importit dhe vendit, për arsye sepse prodhimet e importit, në përgjithësi janë prodhime me volum të madh që kanë kosto shumë të ulta dhe janë të gatshëm për të na shkatërruar në kuptimin e çmimeve”, deklaroi Stefan Pinguli, industrialist.

“Jemi duke e diskutuar këtë proces. Ajo që do dëshironim është që të nxisim prodhimin vendas dhe po shikojmë sesi mund të rritet prodhimi vendas? Si mund të përshtatet akciza vendase me akcizën e huaj?”, tha Beqiraj.

Aktualisht prodhuesit vendas të pijeve kanë një sistem më të lehtësuar taksimi në krahasim me importin, por edhe pse nuk ka ende një variant zyrtar, ditët e fundit është përfolur se qeveria mund të ndryshojë skemën e taksimit për pijet që prodhohen në vend.

Top Channel