Gazi lotsjellës, Prokuroria mund të kërkojë edhe arrestimin e deputetëve

30/10/2015 00:00

Prokurori i çështjes për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës është duke shqyrtuar mundësinë e ushtrimit të kërkesës për lëshimin e urdhërarrestit nga gjykata kundër deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu.

Kjo, pasi ka kaluar afati prej 5 ditësh, dhënë nga prokurori i rastit, që u kërkonte deputetëve në fjalë të paraqiteshin për dhënie deklaratash.

Kjo është konfirmuar përmes postës elektronike për Top Channel, nga zyrtari për informim në Prokurorinë kosovare, Ekrem Lutfiu.

Në përgjigjen e Prokurorisë thuhet se, dy deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu u ka skaduar afati për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, dy deputetët e tjerë opozitarë, Faton Topalli i VV-së dhe Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja, të ftuar për t’u marrë në pyetje për po të njejtën vepër, kanë afat të paraqiten deri më dy nëntor.

Lëvizja Vetëvendosje, e kontaktuar nga Top Channel ka mohuar faktin, që 3 deputetët e këtij subjekti të kenë marrë ftesa të tilla nga Prokuroria. “Zyrtarisht nuk kanë marrë asnjë ftesë”, thuhet në përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, gjatë javës ka deklaruar se ftesat për paraqitje në Prokurori janë dërguar më 23 tetor, në adresë të deputetëve në fjalë.

Top Channel