Asociacioni në Kushtetuese, Serbia kërkon ndërhyrjen e BE-së

30/10/2015 17:35

Për Serbinë, dërgimi në Kushtetuese për interpretim të marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës për ngritjen e Asociacionit të Komunave serbe, nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është një “thikë pas shpine”.

Këtë deklaroi kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, i cituar nga mediat vendase.

“Nënshkrimi im në këtë marrëveshje nënkupton diçka. Nënshkrimet e kujtdo qofshin nga Serbia për mua nënkuptojnë diçka, kurse për përfaqësuesit e Prishtinës, nënshkrimet nuk do të thonë asgjë. Ata e morën këtë vendim një ditë pasi nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, është shprehur Vuçiç.

Ndërkohë, koordinatori i ekipit të Beogradit për Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, Lubomir Mariç ka kërkuar ndërhyrjen e Bashkimit Europian për këtë çështje.

“Duhet të bisedojmë me BE-në dhe Serbia duhet të kërkojë nga Brukseli sqarime konkrete rreth afatit të formimit të Asociacionit dhe të marrë përgjigje për fatin e kësaj marrëveshjeje”, është shprehur ai.

Vendimi i Presidentes Jahjaga për të dërguar në Kushtetuese marrëveshjen që ngre bashkësinë e komunave serbe në Republikën e Kosovës, është përshëndetur nga opozita, ndërsa nga kampi qeverisës nuk ka ende asnjë reagim. Kundër dërgimit në Kushtetuese janë shprehur pjesa më e madhe e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel