Kosovë, Limaj paraqitet në gjykatë për datat e gjykimit të MTPT-së

30/10/2015 00:00

Ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj i është përgjigjur ftesës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku është mbajtur seanca për harmonizimin e datave të gjykimit në rastin e MTPT-së. Pas përfundimit të seancës, ish-ministri Limaj e ka cilësuar këtë proces me prapavijë politike.

“Ju do ta shihni se, me urdhër politik, Prokuroria ka hapur hetimet ndaj meje dhe po zhvillon ndjekjen penale. Ne i kemi faktet dhe do ta vërtetojmë që kanë qenë urdhra politikë”, ka deklaruar Limaj. “Se kush i ka dhënë urdhrat politikë do t’i shihni në sallën e gjyqit. Ne i kemi faktet dhe dokumentet që e dëshmojnë”, ka shtuar ish-ministri Limaj.

Ndërkohë, avokatët mbrojtës të tij kanë deklaruar se, trupi gjykues nuk është i njejtë në raport me seancat e kaluara dhe kjo – sipas tyre, – paraqet shkelje thelbësore.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Maria Tuma, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se gjyqtarja e trupit gjykues të seancave të kaluara, Anna Adamsa, tashmë ka një tjetër pozitë dhe është dashur të zëvendësohet.

Aktakuzat për Fatmir Limajn si ish-ministër i Transportit, këshilltarit të tij Endrit Shala, shefit të prokurimit Nexhat Krasniqi, biznesmenit Florim Zuka dhe truprojës së Limajt, Shpëtim Telaku, u konsoliduan në shtator të këtij viti.

Limaj dhe 4 bashkëpunëtorët e tij akuzohen për krim të organizuar, shpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti e shpërdorim të autorizimeve.

Top Channel