Poloni, gjykata e Krakovës refuzon ekstradimin e Polanskit

30/10/2015 00:00

Edhe pse, me ndryshimin e qeverisë në Poloni u mendua se do të ndryshonte situata për Roman Polanskin, gjykata në Krakovë, që shqyrtoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara, refuzoi ekstradimin e tij drejt Amerikës.

Mbi regjisorin e famshëm rëndon akuza e përdhunimit të një 13-vjeçareje në vitet 1970. Polanski, që e pranon marrëdhënien intime me minorenen, iu largua drejtësisë amerikane pak përpara dënimit në 1978-n.

Sot, ai mban si nënshtetësinë polake, ashtu dhe atë franceze, por ndonëse jeton në Paris, një pjesë të mirë të kohës e kalon në Poloni, ku është i angazhuar në një projekt.

Vendndodhja e tij e saktë, megjithatë, në këto momente nuk dihet. Polanski konsiderohet një prej artistëve më të mëdhenj polakë, që janë ende në jetë, e ka fituar një çmim “Oscar” për filmin “Pianisti”, të xhiruar pjesërisht në Poloni.

Top Channel