SHBA do të dërgojnë forca speciale në Siri

30/10/2015 17:20

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë forca speciale në Siri, për të asistuar trupat anti-qeveritare në luftën kundër Shtetit Islamik.

Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë të administratës amerikane, të cilët kanë deklaruar se do të jenë “më pak se 50 trupa” që do të dërgohen në rajon.

Gjithashtu, kjo nismë do të shënojë herët e parë që trupat amerikane do të punojnë hapur në terren në territorin sirian.

Një zyrtar i vjetër i administratës tha për BBC se kjo nuk do të thotë se, Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë strategjinë e tyre në Siri. sipas tij, repartet e komandove do të fokusohen në zonat veriore të vendit.

Sidoqoftë, deri tani ka pasur dy operacione të forcave speciale amerikane kundër militantëve të ISIS. Në maj operativët vranë një anëtar veteran të organizatës, Abu Sayyaf dhe arrestuan bashkëshorten e tij në lindje të Sirisë.

Ndërsa gjatë verës, ato dështuan në operacionin për shpëtimin e disa pengjeve amerikane, mes të cilëve gazetari James Foley, i cili më pas u ekzekutua me prerje koke nga militantët.

Aktualisht, për situatën në Siri po zhvillohet një tryezë bisedimesh në Vjenë, ku për herë të parë po merr pjesë edhe Irani, aleat i Sirisë.

Takimi synon zvogëlimin e dallimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre dhe atij të aleatëve të Damaskut, që janë Rusia dhe Irani.

Për momentin flitet për një përplasje mes palëve sa i takon të ardhmes së presidentit Bashar al Assad, me Perëndimin që insiston se një rikandidim i tij në zgjedhjet e reja do ta mbajë atë sërish në pushtet.

Referuar këtu fakteve se zgjedhjet e kaluara ai i fitoi shumë lehtë dhe se vota në kushtet e luftës e bën procesin të padrejtë, duke qenë se thuajse gjysma e popullsisë është e zhvendosur.

Në këtë drejtim, Irani nuk ka shfaqur një kundërshtim të fortë dhe madje ka përafruar disi qëndrimin e tij me vendet perëndimore.

“Irani nuk insiston që Assad të mbetet përherë në pushtet, por fati i Sirisë mbetet në duart e qytetarëve të saj”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm, duke u shprehur i gatshëm për bashkëpunim.

Top Channel