Romë, Marino nuk është më kryebashkiak; dorëheqje masive e këshilltarëve

30/10/2015 00:00

Ignazio Marino nuk është më kryebashkiak i Romës. Në më pak se 24 orë pas vendimit për të bërë prapakthehu, kur dihej se kishte dhënë dorëheqjen më 8 tetor, kanë qenë pikërisht dorëheqjet e 26 këshilltarëve komunalë që kanë larguar nga posti edhe kreun e bashkisë.

Me firmosjen e dorëheqjeve të tyre përpara noterit, automatikisht kanë rënë edhe këshilli dhe kreu i Bashkisë së kryeqytetit italian.

Senatori i Partisë Demokratike ( e qendrës së majtë) të Renzit, Stefano Esposito ka shpjeguar menjëherë pas këtij zhvillimi se “prefekti Gabrielli duhet të nominojë shumë shpejt zëvendësin e përkohshëm të tij. Ushtruesi i detyrës pritet të marrë postin brenda ditës së hënë”.

Në total ishin 26 këshilltarë bashkiakë të dorëhequr, 19 të PD-së dhe 7 të tjerë, prej të cilëve dy të mazhorancës (Qendra Demokratike dhe Lista Qytetare Marino) dhe 5 të opozitës. Mes këtyre të fundit ka qenë edhe Alfio Marchini, por nuk kanë firmosur dorëheqjet këshilltarët e “Lëvizjes 5 Yjet” dhe “Sel”.

Pas këtij shkarkimi, Marino është shprehur “i keqardhur për mënyrën sesi përfundoi kjo histori, megjithatë ndihet i qetë”, siç bën të ditur Luca Giansanti, këshilltar i “Listës Qytetare Marino”.

Top Channel