BSH përuron ambientet, Rama: Investim i duhur për institucionin

30/10/2015 18:45

Guvernatori Gent Sejko ka mirëpritur të gjithë të pranishmit në ceremoninë e përurimit të ambienteve të rikonstruktuara të Bankës së Shqipërisë dhe të përurimit të muzeut të këtij institucioni.

“Është kënaqësi dhe privilegj për mua sot, që të jem prezantues i kësaj ceremonie të përurimit të godinës së re të Bankës së Shqipërisë, së bashku me Muzeun e bankës. Me këtë rast do të doja të theksoja edhe njëherë vendosmërinë dhe rolin tonë si bankë qendrore në ruajtjen e qendrueshmërisë makroekonomike dhe shëndetit financiar në vend”, është shprehur Gent Sejko, guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Për kryeministrin Edi Rama, ky investim nuk është aspak luks i tepruar, por një investim i domosdoshëm.

“Ky investim i bërë, që mbase siç edhe investime të tjera, për njerëz që janë të prirur të shohin vetëm sipërfaqen e zërave mund të konsiderohet një luks i tepërt, por ndërkohë, për sa më takon mua dhe për atë çfarë ka nevojë ky institucion me kaq rëndësi për vendin tonë, ky investim nuk është aspak një luks i tepërt, por një investim i bërë në kohën e duhur dhe vendin e duhur për t’i dhënë institucionit atë që i takon”, deklaroi kryeministri Rama.

Nga godina e re e Bankës së Shqipërisë, Edi Rama i parapriu dhe rikonstruksionit të godinës së ish-hotel Dajtit.

“Si kryetar bashkie kam mikpritur në zyrën time ish-guvernatorin Fullani së bashku me arkitektët kur nisi ky projekt. Ka qenë fat për mua, që të jem po ashtu pjesë edhe e projektit në vazhdim, që është transformimi i ngrehinës së ish-hotel Dajtit, ku jam i bindur se të njëjtën kënaqësi që përftohet sot do të mund ta përftojmë edhe në godinën tjetër”, deklaroi Edi Rama.

Top Channel