Kosovë, qeveria miraton buxhetin 2016

30/10/2015 20:15

Pas diskutimeve të gjata dhe kundërshtive të disa ministrave, qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2016 dhe e ka proceduar për në Kuvend.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i lartë dhe është koordinuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Hyrjet e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar në një masë prej 1 miliard e 598 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej 4.1 për qind në raport me buxhetin e rishikuar për këtë vit dhe rreth 19 për qind më të lartë sesa buxheti i realizuar për vitin e kaluar. Hyrjet nga tatimet vendore dhe ato doganore do të rriten përkatësisht në 8.8 për qind dhe 6.2 për qind”, deklaroi Hoti.

Për ndarjet buxhetore nëpër sektorë të ndryshëm pati reagime nga disa ministra, por më i zëshmi ishte ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi, i cili tha se me shkurtimin buxhetor nuk mund të realizohet programi qeveritar.

“Realisht është edhe pak më i vogël sesa një version i kaluar i buxhetit, të cilin ne e kemi diskutuar. Janë 3 milionë euro në total që janë më pak, por shqetësimi mund të konsistojë kryesisht tek pjesa e buxhetit për grante dhe subvencione, përmes të cilit Ministria e Bujqësisë në emër të qeverisë implementon masat mbështetëse për fermerët dhe në këtë rast ne kemi vetëm 46 milionë euro, të cilat nuk krijojnë hapësirë për të rritur mbështetjen në vitin 2016”, tha Krasniqi.

Pasi dëgjoi kritikat e ministrave, kryeministri Isa Mustafa i ftoi ata që ta votonin projektbuxhetin, pasi sipas tij, gjatë diskutimeve në Kuvend dhe rishikimit mund të bëhen ndryshime dhe plotësime për ndonjë kërkesë.

“Tani mund të zhvillojmë një diskutim të gjatë për këtë, mirëpo objektivisht mjetet të cilat ne disponojmë janë ato që i kemi si hyrje të buxhetit për vitin 2016. Ato mjete mund t’i shpenzojmë ashtu siç buxheti është. Ky buxhet nuk është një zgjidhje ideale për të gjitha ministritë dhe për të gjitha nevojat tona, agjencitë dhe Kuvendin, mirëpo duhet të kemi mirëkuptim dhe të pranojmë gjendjen reale në të cilën jemi”, deklaroi Mustafa.

Në këtë mbledhje të kabinetit qeveritar janë miratuar edhe disa projektligje të tjera dhe raporti nëntëmujor i buxhetit të këtij viti.

Top Channel