Kërcënimi rus, Suedia dhe Finlanda bashkojnë forcat ushtarake

30/10/2015 22:45

Suedia dhe Finlanda kanë bërë bashkë njësi të caktuara të forcave të tyre të armatosura për t’i bërë ballë rrezikut rus.

Qeveria suedeze ka marrë në ditët e fundit një vendim për krijimin e një grupi të përbashkët detar me trupat e mbrojtjes finlandeze.

Finlanda ndodhet në kufi me Rusinë, ndërsa Suedia ka konstatuar së fundmi një seri ndërhyrjesh ushtarake ruse në territorin e saj.

Marrëveshja e arritur parashikon reagimin e përbashkët të trupave ushtarake në kohë krizash në Arktik dhe rrethina.

Sipas agjencisë së lajmeve “Defence News”, task forca e përbashkët do të përbëhet nga trupa të stërvitura për të luftuar në kushte klimatike ekstreme. Gjithashtu, ajo do të kryejë patrullime detare dhe stërvitje të vazhdueshme.

“Dy vendet do të ndajnë me njëra-tjetrën infrastrukturën ushtarake dhe do të mund të transferojnë njësitë e tyre ushtarake në anijet e njëra-tjetrës”, raporton burimi mediatik.

Gjithashtu, task forca speciale do të bashkëpunojë me njësitë operacionale të NATO-s, edhe pse Suedia dhe Finlanda e kanë refuzuar anëtarësimin në Aleancë për të ruajtur politikën e neutralitetit.

Ndërkohë, qeveria suedeze është në bisedime edhe me Danimarkën, për të mundësuar vendosjen e njësive të marinës në portet e saj në kohë paqeje.

Top Channel