Egjipt, rrëzohet avioni rus me mbi 200 pasagjerë

31/10/2015 00:00

Një avion rus me të paktën 200 pasagjerë në bord është rrëzuar në pjesën qendrore të Gadishullit Sinai në Egjipt.

Lajmi është konfirmuar nga zyra e e shtypit e kryeministrit egjiptian.

Avioni, një Airbus A-321 sapo ishte nisur nga një resort turistik në Sharm el-Sheik, në Detin e Kuq dhe kishte si destinacion qytetin e Shën Petersburgut në Rusi.

Fillimisht pati informacione pështjelluese në lidhje me fatin e avionit. Disa media raportuan se avioni ka dërguar sinjale nga hapësira ajrore turke, ndërsa të tjera shkruanin se avioni është rrëzuar në afërsi të Qipros.

Pjesa më e madhe e pasagjerëve janë shtetas rusë, turistë që po ktheheshin në vendlindje.

Avioni ishte pronë e kompanisë ajrore Kogalymavia. Besohet se në momentin e rrëzimit në bord kanë qenë 217 pasagjerë dhe 7 pjesëtarë stafi.

Shkaqet e rrëzimit të avionit janë ende të paditura, po ashtu edhe fati i pasagjerëve.

Top Channel