Lindja e Mesme, Lavrov paralajmëron rrezikun e përballjes mes fuqive të mëdha

31/10/2015 11:10

Pohimeve të Uashingtonit mbi dërgimin e mundshëm të forcave speciale në Siri, Moska i është përgjigjur me paralajmërimet e rrezikut të një përballjeje mes dy fuqive të mëdha në Lindjen e Mesme.

Ajo çfarë lexohej mes rreshtave të deklaratës së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov nuk lë shumë vend për interpretim: do të na tërhiqni në një luftë që nuk është e jona, e pikërisht për shmangien e një skenari të tillë, bashkëpunimi amerikano-rus sot duhet perforcuar.

“Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta hedhin një hap të tillë në mënyrë krejtësisht të njënashme e pa u konsultuar me udhëheqjen siriane. Unë jam i bindur se as Shtetet e Bashkuara dhe sigurisht as Rusia nuk dëshirojnë asnjë lloj rrëshqitjeje drejt një konflikti mes tyre në një vend të tretë. Për mua, është mëse e qartë kjo situatë e bën akoma edhe më të rëndësishme detyrën e bashkëpunimit mes ushtrive tona”, thotë Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.

Zyrtarët amerikanë njoftuan më herët se mund të dërgojnë në Siri rreth 50 trupa me qëllimin të stërvisin, këshillojnë e të ndihmojnë forcat e opozitës siriane që luftojnë kundër Sshtetit Islamik. Nëse ushtarët do të nisen vërtet, atëherë kjo do të jetë e para herë që trupat amerikane do të veprojnë hapur në Siri.

Numri i tyre do të jetë vërtet shumë i vogël, por nuk është e tillë simbolika e këtij vendimi që në thelb, përfaqëson një ndryshim rrënjësor të politikës së ndjekur nga Shtetet e Bashkuara deri më tani në këtë vend. Gjasat janë të mëdha trupat në fjalë të luftojnë në krah të forcave kurde, aleatët më të dobishëm lokale të Uashingtonit.

Kjo kthesë e beftë në linjën amerikane të veprimit duket se është ndikuar edhe nga ndërhyrja ajrore ruse në Siri, përpjekja e radhes nga ana e Moskës për të treguar muskujt e për të dëshmuar edhe një herë ndikimin e vet global.

Top Channel