Basha bën thirrje për protesta: Rama, kryeministri më i korruptuar

31/10/2015 12:45

Për 59 minutat e fjalimit të kryeministrit, kreu i opozitës ka 2 fjalë: “Diare verbale”. Opozita thotë se qëllimi është të mbulojë dështimin e qeverisë. Lulzim Basha iu referua të dhënave zyrtare që tregojnë se buxhetit i mungojnë për 9 muaj, 231 milionë dollarë dhe vetëm për shtatorin 35 milionë dollarë.

“Pra, më shumë se 1 milionë dollarë në ditë janë vjedhur muajin e luftës kundër informalitetit. Nuk ka aksion kundër informalitetit, ka një përpjekje mafioze për të mbuluar vjedhjet. Ku janë 231 milionë dollarë?”, tha Basha.

Përgjigjen ia dha vetë,kur paralajmëroi se edhe për muajin tetor do të ketë një gropë të madhe buxhetore. Dhe arsyet i lidh me atë që e quan plaçkitje të vendit nga qeveria e Edi Ramës dhe nga klientela e tij.

“Po këta janë bishta sepse kryeinformali është Edi Rama. Njeriu me vilë të gjatë 56 m në Surrel dhe nuk ka treguar asnjë kupon. Por kuponit të vilës ia shohim hajrin përditë tek tenderi 5 milionë dollarë, Edi Rama i vilës në Dardhë e Durrës, që nuk ka paguar asnjë taksë. Ky është mbreti i informalitetit. Edi Rama është vetë problemi”, vijon Basha.

Kreu i opozitës kishte edhe një akuzë direkte për dhënien me konçension të sipërfaqeje toke vëllait të tij Olsi Rama.

“I cili nga vëllai kryeministër ka marrë 500 ha në Spitallë me të drejtë për t’i zhvilluar pa asnjë taksë dhe ka bërë një kala dibrançe kineze për të mbuluar këtë aferë korruptive”, tha Basha.

Lulzim Basha i bëri jehonë edhe një dokumenti të publikuar në media, që tregon sesi përfaqësues të Partisë Socialiste emërojnë të zgjedhurit e tyre në drejtorinë e Tatimeve.

“Ja ku e keni batalionin e zhvatjes së qytetarëve. Dokumentin mbi të cilin punon bleta e tatimeve. 372 tatimore pas të cilëve qëndron o një deputet, o një ministër apo një kryetar bashkie i qeverisë”, tha kreu i PD-së.

Lulzim Basha thotë se është i ndërgjegjshëm se qytetarët, e kanë humbur besimin tek premtimet, por ai thote se ka ende shpresë që së bashku me opozitën të reagojnë. Madje edhe për rrëzimin e qeverisë.
 

Top Channel