Kriza e refugjatëve, përçarje në koalicionin gjerman

31/10/2015 13:00

Në shtypin gjerman, spekulimet qarkullojnë prej ditësh: vala e refugjatëve ka shkaktuar përplasje të mëdha mes partive aleate në pushtet, por a mund të çojë ajo deri në rrëzimin e koalicionit qeverisës. Vërshimi i emigrantëve ushqen frikën e një pjese të gjermanëve se mund të kthehen në të huaj në vendin e tyre.

Dhe për të ofruar garanci se kjo nuk do të ndodhë, nga kancelarja e CDU-së do të pritej qëndrim më i ashpër, forcim i kufijve dhe ruajtje e identitetit vendas.

Pikërisht, shkruajnë mediat gjermane, këtë dëshiron prej Angela Merkelit Horst Seehofer, lideri i Bavarisë që po mban barrën kryesore të refugjatëve. Një pjesë e bazës së partisë shkon deri aty sa ta akuzojë kancelaren se ka tradhtuar parimet e demokristianëve. Problemet me strehimin e të ardhurve e kanë shtuar presionin, siç u pa qartë në takimin e fundit të grupit parlamentar të CDU/CSU-së ku pati shpërthim të pakënaqësive.

Të martën e ardhshme do të zhvillohet një takim tjetër dhe thuhet se do të artikulohen kërkesa për ta detyruar Merkelin t’i japë fund politikës së kufijve të hapur. Situata është e nderë e nga Bavaria mbërrijnë sinjale se CSU-ja do të tërheqë ministrat nga koalicioni. Mosmarrëveshje mes saj dhe simotrës CDU ka pasur gjithmonë. Por tani kryetari i CSU-së, Horst Seehofer, duket se i druhet mundësisë gjithmonë e më të prekshme që elektorati i tij të kalojë te partia populiste e djathtë AfD.

Bavaria po mban barrën kryesore të emigrantëve pasi shumica e tyre hyjnë në Gjermani pikërisht përmes kufirit të saj me Austrinë. Edhe pse landi është i organizuar mjaft mirë, me nivelin e ardhjeve që nuk kanë të sosur, është duke mbërritur ngadale në limitet e tij, çka rrit trysninë mbi drejtuesit.
Vëmendja është përqëndruar tanimë tek lëvizjet që do të bëjë Merkel lidhur me pretendimet në rritje për mbylljen e kufijve dhe kufizim të numrit të refugjatëve, ndërsa zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert deklaron se ka ende nevojë për bisedime.

Top Channel