Për shkak të stërzgjatjes së bisedimeve për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, pushteti ka harruar problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët çdo ditë.

Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e sektorit civil në Shkup, të cilët ftojnë qytetarët të mos qëndrojnë duarkryq por të ngrenë zërin kundër padrejtësive.

“Kemi hyrë në një situatë kur qytetarët janë krejtësisht të injoruar nga jeta publike dhe partitë janë të zëna vetëm me marrëveshjen e 2 qershorit. Në këtë mënyrë ata shohin vetëm interesat e tyre dhe kanë harruar interesat e qytetarëve. Dhe tani ndodhemi në një situatë të pakuptimtë, kur të gjithë qytetarët presin se çka do të na ofrojnë partitë dhe kjo nuk është e drejtë”, ka deklaruar aktivisti Nikola Pisarev.

Duke filluar nga dita e shtunë, mbi 200 aktivistë nga 70 organizata joqeveritare do të tentojnë që t’i bindin qytetarët që të kërkojnë pa u frikësuar të drejtat që u takojnë.

Aktivistët brenda një muaji do të bisedojnë me banorët e të gjitha qyteteve në Maqedoni për t’ia sqaruar atyre se meritojnë një jetë më mirë.

“Patjetër që duhet t’i informojmë qytetarët dhe të forcojmë instinktin për një jetë më të mirë, ku të mund të marrim atë që na takon, sepse po e shohim se nëse nuk insistojmë sa duhet për nevojat tona, askush nuk interesohet për ne”, ka deklaruar aktivistja Elena Stereovksa.

Përfaqësuesit e sektorit civil në Shkup kërkojnë nga shteti që të ndryshojë mënyrën e qeverisjes dhe të ofrojë për qytetarët më shumë mirëqenie, dinjitet, më tepër vende pune si dhe kushte më të mira në arsim dhe shëndetësi.

Top Channel